(VIDEO) Shkolla “Zdravko Cvetkovski” ofron bazën e arkitekturës
Shkolla e mesme profesionale e qytetit të Shkupit “Zdravko Cvetkovski” sot ka organizuar “Ditën e Hapur”, ku nxënësit e kësaj shkolle kishin përgatitur punime nga më të ndryshmet, duke bërë në një farë mënyre edhe prezantimin e shkollës për semimaturantët, të cilët u njoftuan nga afër me atë se çfarë ofron shkolla.
Profesoresha Erblina Muhaxheri, njëherësh edhe arkitekte, për Televizionin Shenja tha se interesimi i nxënësve për tu regjistruar në këtë shkollë rritet nga viti në vit. Mesazhi i saj është që nxënësit e klasave të nënta mos të hezitojnë, por të përcaktohen për njërin nga katër drejtimet që ofron shkolla.
ERBLINA MUHAXHETI, PROFESORESH
“Është i mjaftueshëm, është i mirë. Çdo vit kemi më shumë e më shumë nxënës të interesuar, si për arkitekturë, si për dizajnë, si për ndërtimtari dhe gjeodizi. Mund të themi se më tepër të interesuar janë në arkitekturë dhe në dizajnë. Duke pas parasysh se edhe mu më ka ndihmuar shumë, sepse unë vet kam mësuar këtu, me të vërtet të ndihmonë shumë, d.m.th hapat e parë i marrin prej këtu, prej shkollës së mesme”.
Përveç teorisë, në këtë shkollë zhvillohet edhe mësimi praktik, sidomos për nxënësit e drejtimit të Ndërtimtarisë. Kështu njoftoi profesoresha e Ndërtimtarisë, Sevime Memishi. Sipas saj, shkolla ofron kushte jashtëzakonisht të mira, që nxënësit të vazhdojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të përgatiten sa më mirë për tregun e punës.
SEVIME MEMISHI, PROFESORESH
“Kemi edhe pjesën teorike, por kemi edhe pjesën praktike, gjithashtu kemi edhe punimet e ndryshme, vizatime të ndryshme, kemi edhe praktikë që është mjaftë mjaftë e rëndësishme, kemi praktiken duale që tashmë tre vite është bërë, praktika e cila i dërgojmë nxënësit nëpër kompani dhe pastaj kompanitë i detyrojnë që të punojnë, të bëjnë praktikë, të bëjnë punime të ndryshme laboratorike”.
Se mësimi është tejet atraktivë dhe ndihmonë shumë në formimin profesional, e dëshmon edhe nxënësja e vitit të 3 , Hanka Baki. Ajo madje tha se të njejtin drejtim do ta vazhdojë edhe në fakultet.
HANKA BAKI, NXËNËSE
“Unë personalishtë si nxënëse e vitit të tretë, kam kaluar gati tre vite, vitin që vjen jam maturante dhe jam shumë e kënaqur me profesorët dhe me kushtet që i ofron shkolla. Po, edhe fakultetin gjithashtu mendojë se do ta vazhdojë të njejtin drejtim”.
Ndërkaq, Shkolla e mesme “Zdravko Cvetkovski” në Shkup ofron katër drejtime kryesore, sikurse Teknik i Arkitekturës, Teknik Dizajnues për arkitekturë të brendshme, Teknik i Ndërtimtarisë dhe Teknik i Gjeodezisë. “Dita e Hapur” do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa nga drejtoria e shkollës bëjnë thirrje për të gjithë semimaturantët që të marrin pjesë, për t’u njohur nga afër me kushtet dhe mundësitë që ofron kjo shkollë.
Samir Mustafa /SHENJA/

