(VIDEO) Shënohet 80-të vjetori i dëbimit të hebrenjve

Në Maqedoninë e Veriut, të dielën u shënua 80-vjetori i dëbimit të hebrenjve për në kampin e përqendrimit në Treblinka të Polonisë.
Ishin 7.144 pjesëtarë të këtij komuniteti që jetonin në Maqedoninë e atëhershme, të cilët në mars të vitit 1943 së bashku më dhjetëra mijëra hebrenj të tjerë që jetonin në territoret e pushtuara nga Bullgaria, ishin dërguar në kampin e shfarosjes dhe asnjë prej tyre nuk ishte kthyer i gjallë.
Presidenti Stevo Pendarovski theksoi se institucionet janë të obliguara t’i edukojnë nxënësit për gjenocidin ndaj hebrenjve. Në përkujtimin e 80 vjetorit të Holokaustit, ai theksoi se kjo është një kohë kritike.
Stevo Pendarovski
“Kjo është një kohë kritike kur numri i dëshmitarëve të mbijetuar të Holokaustit po pakësohet dhe antisemitizmi është në rritje. Institucionet tona janë të obliguara të zbatojnë detyrimet që ne si shtet morëm në forumin ndërkombëtar për Holokaustin në Malmë. Dhe pikërisht përmes kurrikulës dhe vizitës së detyrueshme në Qendrën Përkujtimore të Holokaustit ne i edukojmë nxënësit me të vërtetën për këtë gjenocid dhe i mbrojmë nga virusi i rrezikshëm i antisemitizmit”.
Në kampin e përqendrimit në Treblinka të Polonisë, në periudhën korrik 1942 deri në tetor të vitit 1943, sipas autoriteteve izraelite, por edhe hulumtuesve të ndryshëm, nga regjimi nazist gjerman dhe mbështetësit e tyre, janë vrarë mizorisht rreth 850.000 njerëz, prej të cilëve më shumë se 800.000 hebrenj. /SHENJA/