Palestina hap regjistrimin për zgjedhjet legjislative të 28 nëntorit
Komisioni Qendror Palestinez i Zgjedhjeve të shtunën hapi regjistrimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet legjislative të 28 nëntorit në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, komisioni tha se nga ora 08:00 sipas kohës lokale ka nisur pranimi i aplikimeve për kandidim në selinë e tij në qytetin Al-Bireh, në Bregun Perëndimor të pushtuar, dhe në zyrat e tij në Deir al-Balah, në Gazën qendrore.
Ai tha se procesi do të vazhdojë për 12 ditë, deri më 7 tetor, duke iu referuar “interesimit të madh” të kandidatëve në zyrat e tij në Ramallah dhe Deir al-Balah.
Sipas komisionit, kandidatët për Këshillin Legjislativ (parlament) do të garojnë vetëm përmes listave zgjedhore, ndërsa kandidaturat individuale nuk do të pranohen.
Çdo listë duhet të ketë të paktën 16 dhe jo më shumë se 132 kandidatë.
Komisioni theksoi se listat duhet të respektojnë përfaqësimin minimal të grave të përcaktuar me ligj, duke kërkuar të paktën një grua në mesin e tre emrave të parë në listë dhe një grua në çdo grup pasues prej tre kandidatësh.
Ai tha se aplikimi për kandidim duhet të dorëzohet nga koordinatori dhe përfaqësuesi i autorizuar i listës, pasi të plotësohen formularët e kërkuar dhe të dorëzohen dokumentet dhe shtojcat e nevojshme.
Aplikimet do të shqyrtohen dhe verifikohen për t’u siguruar se përmbushin kërkesat ligjore, tha komisioni, duke theksuar se dorëzimi i një aplikimi nuk nënkupton se ai është pranuar ose miratuar.
Sipas kalendarit zgjedhor të miratuar nga komisioni, fushata zgjedhore do të nisë më 6 nëntor, ndërsa votimi i parakohshëm për forcat e sigurisë do të zhvillohet më 26 nëntor.
Më 9 korrik, presidenti palestinez Mahmoud Abbas nxori një dekret që përcakton 28 nëntorin si datën e zgjedhjeve legjislative në Kudsin Lindor, Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Rripin e Gazës, duke shënuar votimin e parë të këtij lloji që nga viti 2006.
Këshilli Legjislativ Palestinez ka qenë joaktiv që nga viti 2007 pas një përçarjeje të brendshme palestineze, ndërsa Gjykata e Lartë Kushtetuese nxori një vendim për shpërbërjen e tij në vitin 2018.
Zgjedhjet legjislative dhe presidenciale të planifikuara për vitin 2021 u anuluan pasi Abbas shtyu votimin, duke iu referuar mungesës së miratimit izraelit për garantimin e pjesëmarrjes së palestinezëve në Kudsin Lindor të pushtuar.
Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tretat për Këshillin Legjislativ Palestinez, pas atyre të mbajtura në vitet 1996 dhe 2006. Këshilli i ardhshëm do të ketë 132 vende.

