(VIDEO) Shaqiri: ASH kërkon barazi, jo ndarje – Saliu: VLEN mbetet fryma e ndryshimit

(VIDEO) Shaqiri: ASH kërkon barazi, jo ndarje – Saliu: VLEN mbetet fryma e ndryshimit

 

Vazhdojnë përplasjet mes partive që dikur përbënin koalicionin VLEN. Rijad Shaqiri, deputeti i Aleancës për Shqiptarët krahu i Taravarit ka dalë në mbështetje të vendimit që mori kryesia për të shkuar me lista të ndara në zgjedhjet lokale.

Sipas Shaqirit, duke ndjekur këtë parim, Aleanca për Shqiptarët propozon një qasje të re, të hapur dhe demokratike, Lista të veçanta, që secila parti të ketë hapësirën e vet për t’u prezantuar para qytetarëve.

Ai ka thënë se VLEN është dashur ta dëgjoj propozimin e Taravarit dhe së bashku të angazhoheshin për të zgjedhur kandidatët më të mirë të përbashkët për kryetar komunash

RIJAD SHAQIRI – DEPUTET I ASH-SË
“Ky model nuk përjashton bashkëpunimin, përkundrazi, e bën atë më të drejtë, më të sinqertë dhe më të dobishëm për qytetarët. Aleanca nuk kërkon ndarje, por barazi dhe respekt. Dhe nëse këto vlera nuk gjejnë vend në një marrëveshje të përbashkët, atëherë jemi të detyruar të ecim të vetëm, por me kokën lart dhe me qytetarët përballë. Ne nuk konkurrojmë për të mposhtur partnerët, por për të fituar besimin e njerëzve. Egoja ndan, ndërsa e vërteta bashkon. Aleanca për Shqiptarët zgjedh të qëndrojë në anën e së vërtetës dhe siç thotë një fjalë e urtë: “Kush nuk ka çka të fshehë, nuk frikësohet nga drita”. Ne do të ecim në dritë. Jo për të treguar superioritet, por për të dëshmuar sinqeritet.

Me reagim ka dalë edhe deputetja Imërlije Saliu nga Alternativa, parti kjo që vazhdon të jetë pjesë e VLEN. Sipas Saliut VLEN është një vizion kolektiv që ka marrë legjitimitetin nga qytetari. Saliu shton se VLEN mbetet fryma e ndryshimit.

IMËRLIJE SALIU – DEPUTETE E VLEN

Jemi të përkushtuar të ruajmë thelbin e këtij besimi dhe të punojmë me integritet për ta kthyer atë në veprim politik konkret. Në këtë moment sfidues, ju siguroj se nuk do të lejojmë që shpresa që ngjallëm të zëvendësohet nga zhgënjimi. VLEN do të jetë gjithmonë zëri i atyre që duan, përfaqësim dinjitoz dhe një të ardhme të drejtë për të gjithë qytetarët”.

Deputet të grupit parlamentar nga VLEN kanë reaguar në vazhdimsi, ata thonë se ende nuk ka vendim për ndarjen e grupit parlamentarë të VLEN. Nga ana tjetër, tashmë është e qartë se ASH-ja e Taravarit dhe partitë e koalicionit kanë ndarë rrugët dhe se në zgjedhje lokale, ASH-ja do të dalë e vetme, ndërsa tre partitë tjera nga VLEN do të dalin me lista të përbashkëta.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING