Trump përjashton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër Iranit

Trump përjashton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër Iranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përjashtoi mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore kundër Iranit, duke thënë se Washingtoni nuk ka nevojë për to dhe duke theksuar se “nëna e të gjitha bombave” nuk është armë bërthamore, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

I pyetur gjatë një interviste të enjten për Newsmax lidhur me raportimet se administrata e tij po shqyrton mundësinë e përdorimit të bombës “GBU-43/B Massive Ordnance Air Blast” (MOAB), e njohur si “nëna e të gjitha bombave”, kundër Iranit, potencialisht pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, Trump theksoi se bëhet fjalë për një armë konvencionale.

“‘Nëna e të gjitha bombave’ nuk është bërthamore”, tha Trump, duke shtuar: “Kjo është thjesht një bombë jashtëzakonisht e madhe”.

Ai përsëriti se arma nuk është bërthamore. “‘Nëna e të gjitha bombave’ është një bombë e madhe, por nuk është bërthamore”, tha ai.

Trump përjashtoi mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, duke thënë se SHBA-ja nuk ka nevojë t’u drejtohet atyre. “Jo, nuk do të përdorja armë bërthamore. Nuk kemi nevojë”, tha ai.

Trump ngriti gjithashtu mundësinë e sulmeve të tjera ndaj objekteve bërthamore të Iranit, përfshirë një objekt të dyshuar nëntokësor të njohur si Mali Kazmë.

“Tani po shqyrtojmë Malin Kazmë. Mund të na duhet të godasim atje. Do të përpiqemi ta godasim atë objekt. Do ta shkatërrojmë shpejt”, shtoi Trump.

I pyetur nëse një operacion i tillë do të përfshinte trupa tokësore amerikane, Trump u përgjigj: “Jo, nuk e shoh këtë si mundësi. Nuk e shoh”.

Ai tha se tërheqja pa u siguruar që Irani nuk mund të sigurojë armë bërthamore mund të kërkojë veprime të tjera ushtarake amerikane brenda një viti.

“Duam të sigurohemi që ata të mos kenë kurrë armë bërthamore”, tha ai.

– “Lufta me Iranin do të përfundojë shumë shpejt”

Trump parashikoi gjithashtu se lufta do të përfundojë së shpejti, duke thënë se Teherani po negocion me Washingtonin.

“Lufta me Iranin do të përfundojë shumë shpejt. Do të marrë fund shumë shpejt”, tha presidenti amerikan.

“Në një mënyrë ose në një tjetër, ajo do të përfundojë shumë shpejt. Çmimi i naftës do të bjerë ndjeshëm, ashtu si edhe çmimet e karburanteve”, theksoi ai.

Trump pretendoi se zyrtarët iranianë kanë kërkuar ndalimin e operacioneve ushtarake amerikane dhe izraelite.

“Na janë lutur që të ndalemi. Dhe ne po e bëjmë këtë, sepse po negociojmë me ta”, tha ai.

I pyetur nëse i beson kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump u përgjigj: “Sinqerisht, nuk i besoj askujt”.

“Nuk i besoj askujt”, tha ai. “Në botën e politikës, nuk i besoj askujt”, theksoi presidenti i SHBA-së.

MARKETING