(VIDEO) Serbia caku kryesor i fushatës ruse për dezinformim në Ballkan

Serbia, sipas një hulumtimi të Qendrës për Informim, Demokraci dhe Qytetari e Universitetit Amerikan në Bullgari, është caku kryesor i fushatës së dezinformimit rus, në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Përqendrimi i dezinformatave në Serbi është 6.3 herë më i lartë se mesatarja në vendet e Bashkimit Evropian”, shpjegojnë për Radion Evropa e Lirë autorët e hulumtimit, Jacob Udo-Udo Jacob dhe Georgi Angelov.
Qendra për Informim, Demokraci dhe Qytetari e Universitetit Amerikan në Bullgari, nga dhjetori i vitit 2024 deri në mars të vitit 2025, ka analizuar mbi 640 mijë artikuj të publikuar në faqet e rrjetit “Pravda” në 45 shtete. Sipas kësaj qendre, ky rrjet shërben për përhapjen e dezinformatave të lidhura me Rusinë.
Duke u bazuar në numrin e artikujve të publikuar për kokë banori, Serbia renditet e katërta ndër të gjitha shtetet e përfshira në hulumtim, pas Moldavisë, Letonisë dhe Estonisë. “Serbia është e cenueshme dhe cak i dezinformatave për disa arsye. Këtu përfshihen lidhjet historike me Rusinë, kontradiktat e thella të brendshme dhe problemet me lirinë dhe kontrollin e mediave”, shpjegon bashkëautori i hulumtimit, Georgi Angelov.
Duke analizuar 643 600 artikuj të publikuar në faqet e rrjetit “Pravda” në 45 vende nga dhjetori i vitit 2024 deri në mars të këtij viti, Qendra ka konstatuar se mbi gjysma (52 për qind) e përmbajtjes është drejtuar ndaj ish-republikave sovjetike dhe vendeve të Ballkanit.
Serbia është edhe i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku operon edhe televizioni shtetëror rus RT (ish-Russia Today). /SHENJA/