Haxhiu: Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare dhe institucionale

Haxhiu: Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare dhe institucionale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, ka deklaruar se mbrojtja e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është detyrë qytetare dhe institucionale, transmeton Anadolu.

Megjithatë, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ajo tha askush nuk i mbron ata “duke shpallur aty për aty spiunë e tradhtarë” kundërshtarët politikë, duke shënjestruar dëshmitarë apo duke kërkuar fajtorë mes qytetarëve të Kosovës.

“Shënjestrimi me këto emërtime, në protesta, në emisione televizive dhe në postime publike, dje dhe sot riprodhon pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së, etiketimin e kundërshtarit si armik dhe kthimin e tij në shënjestër. Kështu, në emër të mbrojtjes, i jepet fuqi vetë akuzës”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se populli nuk dëshmon, por dëshmojnë individë, secili me emër dhe me përgjegjësi vetjake, prandaj, sipas saj, përpjekja për ta paraqitur një popull të tërë si burim “spiunimi” është e pavërtetë, fyese dhe e rrezikshme.

Më tej, kryeparlamentarja ka theksuar se kushdo që ka të dhëna për persona që kanë dëmtuar apo dëmtojnë interesin kombëtar e tash edhe shtetëror “duhet sa më parë t’i paraqesë ato në organet vendore të sigurisë dhe drejtësisë, sepse këto raste duhet të adresohen në plotni”.

“Asnjë padrejtësi nuk ndreqet duke prodhuar një padrejtësi tjetër. Vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin që e kanë mbajtur gjallë popullin tone”, theksoi Haxhiu.

Ajo në fund u bëri thirrje secilit individ që del apo vepron publikisht të tregojë maturi dhe të paraqesë vlerat dhe virtytet që na karakterizojnë si shoqëri dhe si komb.

MARKETING