Lideri i opozitës: Netanyahu është përgjegjës për 7 tetorin 2023 dhe duhet të largohet nga detyra
Vetëm disa javë para zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael, një lider i një partie opozitare izraelite ka deklaruar se kryeministri Benjamin Netanyahu mban përgjegjësi për ngjarjet e 7 tetorit të vitit 2023 dhe duhet të largohet nga detyra, duke bërë thirrje që të gjithë ata që ishin pjesë e koalicionit qeverisës në atë kohë të përjashtohen nga qeveria e ardhshme, transmeton Anadolu.
Në një video të publikuar në rrjetin social amerikan X, Avigdor Liberman, lideri i partisë Yisrael Beiteinu, e konsideroi qeverinë e Netanyahut drejtpërdrejt përgjegjëse për dështimet që lidhen me ngjarjet e asaj dite.
“U bëj thirrje të gjithëve që t’i thonë gjërat qartë: Netanyahu mban përgjegjësi për 7 tetorin dhe ai duhet të shkojë në shtëpi”, tha Liberman.
Liberman theksoi se ata që ishin partnerë në qeveri në kohën e ngjarjeve dhe që nuk morën përgjegjësi apo nuk mbështetën krijimin e një komisioni shtetëror hetimor “thjesht nuk duhet të jenë partnerë në qeverinë e ardhshme”.
Më 7 tetor të vitit 2023, luftëtarë të grupit palestinez të rezistencës Hamas sulmuan baza ushtarake dhe vendbanime izraelite pranë Rripit të Gazës, duke vrarë dhe marrë peng izraelitë. Hamasi tha se sulmi erdhi si përgjigje ndaj “krimeve të përditshme të pushtimit” kundër popullit palestinez dhe vendeve të tij të shenjta, veçanërisht Xhamisë Al-Aksa.
Partitë opozitare izraelite kanë konsideruar Netanyahun dhe qeverinë e tij përgjegjës për dështimet që u paraprinë ngjarjeve, ndërsa kryeministri ka mohuar përgjegjësinë për to.
“Nuk ka kuptim të thuhet se askush këtu nuk është përgjegjës, sepse qeveria e Netanyahut është përgjegjëse për ngjarjet e 7 tetorit”, tha Liberman.
Raportimet e fundit të mediave izraelite thanë se Netanyahu kishte marrë një “paralajmërim të qartë” nga Emiratet e Bashkuara Arabe për një sulm të madh të Hamasit para 7 tetorit, por më pas nuk kishte informuar drejtuesit e sigurisë së Izraelit.
Netanyahu për një kohë të gjatë kishte kundërshtuar krijimin e një komisioni shtetëror hetimor për ngjarjet që lidhen me 7 tetorin. Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria e tij vendosi të avancojë formimin e një komisioni të emëruar nga qeveria, veprim që u kritikua nga opozita.
Opozita thotë se komisionit të propozuar i mungojnë pavarësia dhe kompetencat e mjaftueshme dhe akuzon Netanyahun se po përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë për dështimet e tij.
Netanyahu akuzohet për korrupsion dhe krime lufte
Netanyahu ka udhëhequr qeverinë izraelite që nga fundi i dhjetorit 2022 dhe po gjykohet për akuza për korrupsion, të cilat ai i mohon. Seancat gjyqësore janë shtyrë vazhdimisht për shkak të ofensivave ushtarake të Izraelit, ndërsa disa figura të opozitës e akuzojnë Netanyahun se po i zgjat konfliktet për të shmangur vendimet gjyqësore kundër tij.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhërarrest për Netanyahun në nëntor të vitit 2024 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Gjykata tha se kishte baza të arsyeshme për të besuar se ai mbante përgjegjësi penale për krime që përfshijnë përdorimin e urisë si metodë lufte, drejtimin e qëllimshëm të sulmeve kundër civilëve, vrasjen, persekutimin dhe akte të tjera çnjerëzore.
Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Izrael janë planifikuar për më 27 tetor, ndërsa asnjëra palë nuk ka një epërsi përfundimtare.

