(VIDEO) Rreth 90.000 persona marrin pensionin më të ulët se 12 mijë denarë

(VIDEO) Rreth 90.000 persona marrin pensionin më të ulët se 12 mijë denarë

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të fundit të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, janë të regjistruar rreth 333.000 pensionistë.

Por, pjesa më e madhe e tyre apo rreth 90.000 persona marrin pensionin më të ulët, që nuk kalon 12 mijë denarë apo 200 euro. Kategoria e dytë merr nga 200-250 euro, kategoria e tretë nga 250-300 dhe një pjesë më e vogël nga 300 euro e më lartë. Pensionistët kërkojnë që pensioni më i ulët në Maqedoninë e Veriut të arrijë në 300 euro në muaj.  Nga Shoqata e Pensionistëve thonë se faji për pensionet e ulëta qëndron te sistemi pensional, por edhe në rrethana tjera, pasi është lejuar që kompani e ndërmarrje të ndryshme të bëjnë pagesa për sigurimet shoqërore që nuk janë në përputhje me pagat, që rrjedhimisht edhe reflektohen në pensionet që tani ata marrin. Ministrja e Punëve dhe Politikës Sociale në Maqedoninë e Veriut, Jovanka Trençevska, pret që deri në fund të vitit të gjendet një zgjidhje për përcaktimin e pensionit minimal përmes ndryshimit në Ligjin për pensionet. Qeveria maqedonase ka paralajmëruar se rritja e re e pensioneve do të bëhet sipas metodologjisë së vitit 2022, bazuar në koston e jetesës dhe rritjes së pagës mesatare, që parasheh një rritje të pensioni në rreth 13.300 denarë apo në 220 euro.

Javën e kaluar pensionistët me anë të protestave kërkonin rritjen e pensioneve për të paktën 3 500 denarë në muaj.  /SHENJA/

 

MARKETING