(VIDEO) Rregullimi i infrastrukturës në Saraj, 379 milionë denarë për 12 kilometra shtrat lumor
Pas vitesh përballjeje me rrezikun e përmbytjeve, fillon zyrtarisht projekti për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në Komunën e Sarajit. Investimi përfshin mbi 6 milionë euro të siguruara nga ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Pritet rregullimi i shtratit të Lumit në gjatësi prej 12 kilometrash, nga fshati Bojanë deri në fshatin Gllumovë, ku Lumi i Thatë derdhet në Lumin Treska. Projekti i cili pritet të realizohet në periudhën 2026-2029, pritet të ofrojë mbrojtje më të madhe nga vërshimet për mijëra banorë të këtij rajoni. Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, e cilësoi këtë si investimin më të madh historik për komunën, i cili do të mbahet mend si pika e kthesës për sigurinë e këtij rajoni.
Muhamed Elmazi, kryetari i komunës së Sarajit
“Projketi parasheh rregullimin e shtratit të Lumit në gjatësi prej 12 kilometrash, nga fshati Bojanë deri në vendbanimin në Gllumovë, ku Lumi i Thatë derdhet në Lumin Treska, një ndërhyrje gjithëpërfshirëse që prek drejtëpërdrejtë jetën e mijëra qytetarëve. Për rrealizimin e këtij projekti madhor, ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar mbi 6 milion euro, një shifër që flet vet për peshën dhe seriozitetin e këtij investimi. Bëhet fjalë për një angazhim shumëvjeçar, strategjik, i cili do të realizohet në periudhën 2026-2029, ndërsa punimet kanë filluar tanimë zyrtarisht më 7 korrik 2026, një datë që do të mbahet mend si pika e kthesës për sigurinë e këtij rrajoni”.
Ndërkaq, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, tha se rregullimi i shtratit të Lumit të Thatë garanton mbrojtje më të madhe për banorët, pronat dhe tokat bujqësore të kësaj zone.
Muhamed Hoxha, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
“Rregullimi i shtratit të lumit të thatë është një zgjidhje e drejtëpërdrejtë për problemet shumëvjeçare të banorëve të kësaj komune, për këtë qëllim si ministri kemi siguruar mbi 379 milion denarë nga buxheti i ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Me rregullimin e këtyre 12 kilometrave nga rruga për në fshatin Bojanë deri në fshatin Gllumovë, ne mbrojmë drejtëpërdrejtë shtëpitë, pronat dhe tokën bujqësore të mijëra qytetarëve të kësaj ane. Ajo që është edhe më e rrëndësishme, po i japim fund ndotjes dhe po eleminojmë rreziqet për shëndetin e njerëzve gjatë periudhës së verës”.
Ai tha se qytetarët e Sarajit meritojnë një mjedis jetësor të pastër dhe një jetë me të sigurt, ndaj sipas tij, ky investim është pjesë e ofansivës së tyre të madhe infrastrukturore që po realizohen në mbarë vendin.
Anida Murati /SHENJA/

