(VIDEO) Protestë në Shkup pas dënimit të krerëve të UÇK-së
“Jo në emrin tim”, është thirrja që është bërë edhe nga Shkupi, pas denimeve të ish krerëve të UÇK-së. Përmes një marshi protestues në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së. Mijëra qytetarë në Shkup, sot kërkuan drejtësi për çlirimtarët. Protestuesit me brohoritma UÇK, UÇK kërkuan që të rishikohet vendimi i marrë në Hagë dhe katër të akuzuarit të lihen në liri.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nga protesta deklaroi se populli nuk mund t’i dënoj çlirimtarët e vet. Prandaj shtoi se këto aktivitetet do të vazhdojnë në tërë Kosovën por edhe në tërë hapësirat ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
“Sot në Sheshin Skënderbeu është vetëm fillimi dhe shqiptarët në Maqedoni, krahas shqiptarëve të Kosovës do të demonstrojnë pakënaqësinë e tyre, revoltën e tyre se në emër të popullit shqiptarë nuk mund të dënohen çlirimtarët. Për të njollosur tërë popullin shqiptar, dhe përderisa kemi ardhur këtu, sigurisht që duhet një aktivitet dhe punë e palodhur e institucioneve të Kosovës edhe të Shqipërisë në aktivitete të forta diplomatike për të sqaruar, shpjeguar tërë situatën para kancelarive të Evropës si financuese të kësaj Gjykata Speciale dhe shpalljen e tyre si të pafajshëm”.
Rafiz Aliti, i njohur komandant “Mësuesi”, në fjalimin e tij u shpreh se vendimi i Gjykatës së Hagës ka inkurajuar edhe ndryshime të ligjeve në RMV që i prekin shqiptarët. Me këtë rast ai bëri thirrje që të mos preken themelet e Marrëveshjes së Ohrit.
Rafiz Aliti, komandant “Mësuesi”
“Vendimet e kësaj Gjykate të turpit kanë inkurajuar individë dhe subjekte politike, të cilat kanë ndërmarrë iniciativa të ndryshme për ndryshimin e ligjeve edhe këtu në RMV që Marrëveshja e Ohrit në vendin tonë e cila është kompromis politik që solli paqe dhe mbi të cilën u ndërtua një pjesë e rëndësishme e rendit kushtetues të këtij shteti. Prandaj, bëjmë apel të qartë, mos i prekni themelet dhe shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit”.
Në protestë kishte përfaqësues të partive politike opozitare shqiptarë, ish ushtarë të UÇK-së dhe qytetarë nga të gjitha qytetet e RMV-së.
Emine Ismaili /SHENJA/

