(VIDEO) Prof. dr. Mehmet Gormez: Myslimanët e Ballkanit nuk janë pakicë, por janë shumë
Mbrëmë në ambientet e hotel “Stone Bridge” në Shkup, u mbajt paneli i diskutimit “Ballkani, imagjinata jonë e së ardhmes dhe rinia”, të organizuar nga shoqatat “Ensar” dhe “Kopru”, ndërsa panelist ka qenë ish-kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), aktualisht kryetar i Institutit të Mendimit Islam – IDE, Prof. Dr. Mehmet Gormez.
Në panelin e diskutimit, ku morën pjesë përfaqësuesit e sektorit civil, akademikë, studentë, profesor Gormez foli mbi vlerat historike dhe kulturore që ngërthen hemisfera ballkanike ndaj njerëzimit.
“Ne i flasim sendet me zemër dhe shpirt, ndërsa për ne Ballkani është njëra ndër zemrat gjeokrafike tona. Rruga duhet të jetë e qartë, ne nuk duhet të devijojmë nga qëllimet dhe idealet, me të cilat jetojmë. Duhet te ndërrohet koncepti i perceptimeve, dhe në këtë kohë të turbulencave dhe të paqartësive, ne duhet t’i perceptojmë gjërat në bazë të argumenteve historike, kohore dhe dialogut. Rinia është në një nihilizm dhe në kohën e pashpresës, andaj besoj fuqishëm, se vizioni i së ardhmes rinore ndërtohet vetëm me dialog”, deklaroi Gormez.
Duke folur edhe për Ballkanin si një pjesë e pandashme e gjeografisë shpirtërore, profesori i mirënjohur nga Turqia, Mehmet Görmez, tha: “Myslimanët e Ballkanit nuk janë pakicë, por janë shumë”.
Gjithashtu, fjalë rasti para të pranishmëve kishte edhe kryetari i shoqatës humanitare “Ensar”, Prof. Dr. Sylejman Baki, i cili pas përshëndetjes miqësore me profesor Gormez, foli mbi rëndësinë e tubimeve, konferencave dhe paneleve që po organizohen nga shoqatat “Ensar” dhe “Kopru” në Maqedoninë e Veriut gjatë këtyre dy dekadave. /SHENJA/