(VIDEO) Policia godet grupin që kontrabandonte vetura të shtrenjta nga vendet e BE-së
Ekipet policore nga mëngjesi po kryejnë një aksion të madh, bastisje në lokacione të ndryshme në Shkup, Manastir, Negotinë, Dojran, Gjevgjeli. Bëhet fjalë për një grup kriminal që kontrabandon automjete nga vendet e Bashkimit Evropian. Siç njofton MPB, nën drejtimin e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, që mëngjesin e sotëm është ndërmarrë aksioni. Mes të arrestuarve ka edhe zyrtarë, por edhe një shtetas i huaj.
Për aksionin ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili tha se është duke zhvilluar një aksion kundër një grupi të organizuar kriminal që merret me kontrabandën e automjeteve të shtrenjta, falsifikimin e dokumenteve dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Aksioni është i fokusuar në goditjen e një grupi të organizuar kriminal që merret me kontrabandën e automjeteve të shtrenjta, falsifikimin e dokumenteve dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare, për të cilat sot në mëngjes janë kryer bastisje në disa lokacione. Ne vazhdojmë luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit, sepse qytetarët meritojnë të jetojnë në një shtet të qëndrueshëm dhe të sigurt”.
Toshkovski sot në mëngjes ka vizituar zyrtarët policorë në Njësinë për Punë të Brendshme në Gjorçe Petrov, ku është njoftuar me rrjedhën e aksionit që po e kryen sot nga pjesëtarë të policisë në koordinim me departamentin kriminalistik, nga ku tha se policia punon edhe të dielave.
Samir Mustafa /SHENJA/