(VIDEO) Pika e përbashkët kufitare në Bllacë do të hapet në prill

(VIDEO) Pika e përbashkët kufitare në Bllacë do të hapet në prill

Për të kaluar kufirin Maqedoni e Veriut – Kosovë, përmes vetëm një kontrolli kufitar, qytetarët do duhet të presin ende, ndoshta edhe disa muaj. Kështu kolonat e gjata që shihen sidomos gjatë fundjavave, do të jenë po të njejta. “One stop shop”, pritet të jetë gati diku në muajin prill. Ndërsa sot, nisi periudha testuese për mënyrën se si do të funksionoj ky projekt. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dhe ministrat e Brendshëm e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, Pançe Toshkovski dhe Xhelal Sveçla. Sipas ministrit Pançe Toshkovskit, është bërë instalimi i pajisjeve teknike, ndërsa po punojnë në rrjetëzimin e sistemeve të të dyja shteteve.

Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm i RMV-së

“Konstatojmë se të gjitha pajisjet që duhej të silleshin, pra pajisjet teknike, ato janë instaluar dhe është filluar me përgatitjet për rrjetizimin e të dyja sistemeve. Patëm mundësi të shohim si do të funksionoj kjo teknikisht, pra në kuadër të një platforme do të shpërndahen informacionet për të dyja Ministritë, me qëllim që të mundësojmë që përmes vetëm një konstatimi të një zyrtari policor të mund që qytetarët e Kosovës të hyjnë në vendin tonë dhe qytetarët tanë të hyjnë në Kosovë”.

Ministri i Brendshëm kosovar Sveçla u shpreh se sot bënë inspektim të punimeve që janë në kuadër të implementimit të marrëveshjes së dy shteteve për kalim të lehtësuar të qytetarëve të të dyja vendeve duke pasur në kufi vetëm një kontroll.

Xhelal Sveçla, ministër i Brendshëm i RKS-së

“Unë besoj se komunikimi i vazhdueshëm sa më shumë komunikim përafron edhe më shumë dhe ngrit raportet e mira që i kemi mes dy vendeve tona. Shpresoj se edhe faza testuese do të kaloj me sukses dhe e gjitha të implementohet në një afat sa më të shpejtë të mundshëm”.

Këtë tip të kalimit kufitar përmes vetëm një pike, siç bëri me dije ministri Toshkovski, do ta praktikojnë edhe me Republikën e Serbisë dhe të Shqipërisë.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING