Vetëm 15% e punëtorëve kanë marrë K-15, shumica ende në pritje
Deri më 1 korrik, vetëm 15 për qind e të punësuarve në Maqedoninë e Veriut kanë përfituar regresin për pushim vjetor (K-15), ndërsa shuma mesatare neto e paguar ka qenë 28.562 denarë.
Sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin privat, punëdhënësit që paguajnë K-15 gjatë këtij viti janë të obliguar të sigurojnë të paktën 19.567 denarë. Kjo shumë është e barabartë me 40 për qind të pagës mesatare neto të tre muajve të fundit, të publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikës.
Përjashtim bëjnë kompanitë që dëshmojnë se përballen me vështirësi ekonomike, të cilat, në përputhje me rregullat në fuqi, mund të paguajnë një shumë më të ulët.
Ndërkohë, të punësuarit në sektorin publik kanë të drejtë për regres në vlerë prej 13.560 denarësh, që përfaqëson 30 për qind të pagës mesatare neto të vitit paraprak, në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.
Në disa sektorë, përmes marrëveshjeve kolektive të veçanta, mund të dakordohen edhe shuma më të larta të K-15, varësisht nga kushtet e negociuara ndërmjet punëdhënësve dhe sindikatave.

