(VIDEO) Pesë të arrestuar për terrorizëm, paraburgim për tre prej tyre
Pesë persona janë arrestuar ndërsa ndaj tre personave është ngritur kallëzim penal si rezultat I aksionit policor të ditës së djeshme, me qëllim të shpartallimit të një grupi të dyshuar për terrorizëm dhe trafikim të paligjshëm të armëve. Nga MPB thonë se duke vepruar në bazë të urdhër bastisjeve të lëshuara nga një gjyqtar i procedurës paraprake, janë kryer bastisje ndaj 6 personave, në gjithsej 12 lokacione në zonën e Qytetit të Shkupit.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Gjatë bastisjeve, u gjetën dhe u sekuestruan armë automatike, korniza armësh automatike, snajper, korniza snajperi, pistoleta, plumba të kalibrave të ndryshëm, një jelek taktik, radio-lidhje, flamuri zyrtar i organizatës terroriste ISIS, një sasi e madhe pajisjesh elektronike, telefona celularë, si dhe një sasi e madhe fondesh në denarë dhe valutë të huaj”.
Ndërkaq nga Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion njoftojnë se kanë urdhëruar hapjen e procedurës hetimore kundër të 3 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se i dyshuari i parë ka kryer veprën penale “Terrorizëm”, ndërsa të tre bashkë dyshohen edhe për veprën penale “Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar me armë dhe eksplozivë”. Për 3 të dyshuarit, Gjykatës i është kërkuar caktim i masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Aksioni policor është zhvilluar ditën e djeshme në disa lokacione në Shkup, nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë për Siguri Nacionale. Gjatë kontrolleve, u përcaktua edhe përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, për të cilin po merren masa dhe aktivitete shtesë në përputhje me juridiksionin ligjor.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

