(VIDEO) Raporti i revizorëve, gratë shumicë në administratë, burrat në vendim-marrje

(VIDEO) Raporti i revizorëve, gratë shumicë në administratë, burrat në vendim-marrje

Sipas të dhënat e Entit Shtetëror të Revizionit, gratë përbëjnë shumicë në administratën publike, por shumë më pak janë të pranishme në pozitat ku merren vendimet. Nga 110.885 të punësuar në administratë, 57,5 për qind janë gra, ndërsa në pozitat drejtuese përfaqësimi i tyre mbetet dukshëm më i ulët. Nga revizioni sqarojnë se në vitin 2024 gratë përbënin 39,2 për qind të deputetëve në Kuvend, ndërsa në Qeveri vetëm 15 për qind e ministrave ishin gra. Nga 58 persona të emëruar në pozita udhëheqëse nga Kuvendi, vetëm 16 janë gra.

MARKETING

Shik.mk

ENTI SHTETËROR I REVEZIONIT

“Gratë janë shumicë në mesin e të punësuarve në sektorin publik, por jo edhe në pozitat në të cilat merren vendimet. Edhe pse në vitin 2024 pjesëmarrja e grave në Kuvend ishte 39,2 për qind, në Qeveri ato marrin pjesë me vetëm 15 për qind”.

Revizorët vlerësojnë se dallimi është veçanërisht i dukshëm mes pushtetit ligjvënës dhe atij ekzekutiv. Nga 2014 deri në 2024, pjesëmarrja e grave si ministre ka lëvizur nga 14 deri në 31 për qind. Në përbërjen aktuale të Qeverisë, nga 20 ministra me resor vetëm tre janë gra. Edhe në mesin e pesë zëvendëskryeministrave nuk ka asnjë grua. Sipas raportit, ndryshe nga Kuvendi, ku ekziston kuotë ligjërisht e detyrueshme për gjininë më pak të përfaqësuar, Ligji për Qeverinë dhe Rregullorja e Punës nuk parashikojnë balancë gjinore gjatë propozimit dhe emërimit të ministrave.

ENTI SHTETËROR I REVEZIONIT

“Përbërja e pushtetit ekzekutiv varet nga propozimi i mandatarit. Revizioni ka konstatuar gjithashtu mungesë të mekanizmave të unifikuar për përzgjedhjen dhe emërimin në funksione drejtuese”.

Raporti i revizionit evidenton edhe mungesën e masave konkrete dhe mekanizmave për monitorimin e barazisë gjinore. Si një nga pengesat kryesore për gratë në politikë dhe në pozitat e larta drejtuese veçohet gjuha e urrejtjes, veçanërisht në internet. Revizorët rekomandojnë masa më të qarta dhe të matshme, koordinim më të mirë institucional, forcim të kapaciteteve drejtuese të grave dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe politike.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING