(VIDEO) Për një muaj 260 persona kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të mbipeshës

(VIDEO) Për një muaj 260 persona kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të mbipeshës

Mbipesha  gjithnjë e më shumë po rritet në Maqedoninë e Veriut. Brenda një muaji 260 pacientë që kanë probleme me mbipeshën kanë kërkuar ndihmë në Qendrën për Menaxhimin e Obezitetit në Maqedoninë e Veriut.

Për endokrinologët, shqetësues mbetet fakti se gjithnjë e më shumë po ulet mosha e pacientëve që kanë probleme me mbipeshën. Endokrinologu nga Qendra për Menaxhimin e Obezitetit në Spitalin 8 Shtatori, Taner Hasan,  për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se një e treta e pacientëve që kanë trajtuar në Qendrën për Menaxhimin e Obezitetit i takojnë moshës nga 14 deri 18 vjeç. Ai gjithashtu theksonë se deri më tani mjekët kanë trajtuar më shumë sëmundje që shkaktohen nga mbipesha, por jo mbipeshën që është shkaktar i shumë sëmundjeve.

TANER HASAN,ENDOKRINOLOG

“Kemi trajtuar vetëm komplikimet që ka shkaktuar obeziteti, ndërkohë që burimi i problemeve edhe më tej ka vazhduar të ekzistojë. Tani për herë të parë pacientët kanë mundësi të trajnojnë obezitein si burim apo shkakar i shumë sëmundjeve që shkakton pesha e tepërt”

Hasan shton se një numër mjaft i madh i pacientëve, fatkeqësisht në moshën e adoleshencës, të cilët kanë obezitet, ndodhen përballë rrezikut për të zhvilluar diabetin dhe çrregullime të tjera në organizëm.

Ndërkaq, Aleksandar Mitev, mjek i shëndetit publik,  tha se personat që vuajnë nga mbipesha veçanërisht grupmoshat më të reja, në vend të stigmatizimit duhet inkurajuar në rrugëtimin e tyre sado i gjatë të jetë, në drejtim të arritjes së objektivave të tyre në vend të presionit. Kjo sepse dëshira për ushqim dhe karakteri i dobët për të hequr dorë nga ngrënia e tepërt i bënë të duken keq.

ALEKSANDËR MITEV,MJEK I SHËNDETIT PUBLIK

“Ndodh që nganjëherë duke dashur të ndihmojnë, përsëritja e shpeshtë e problemit me mbipeshën bën që të prishen dhe raportet ndërnjerëzore. Ndërkohë që këta persona kanë nevojë për inkurajim drejt zgjidhjes së këtij problemi që kërkon shumë durim dhe forcë për të ndryshuar shprehitë e të ushqyerit dhe aktivitetit fizik”

Përndryshe, Qendra për Menaxhimin e Obezitetit është hapur më 4 mars në kuadër të spitalit “8 Shtatori” në Shkup (ish-Spitali Ushtarak) e para e këtij lloji në vend.

Kjo qendër, pacientëve që vuajnë nga mbipesha e të cilët kanë sigurim shëndetësorë pa pagesë, u ofron një plan për ushqyerje në bazë të peshës trupore, si dhe një plan të detajuar të terapisë farmakologjike, për ata që kanë nevojë për terapi. Ndërsa, për pacientët jashtëzakonisht obezë kjo qendër, e cila hapet e para e këtij lloji, pacientëve u ofron heqjen e peshës përmes kirurgjisë bariatrike.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

MARKETING