Franca planifikon sanksione më të ashpra dhe arrestime për bllokadat e shkollave të mesme
Sipas një udhëzimi të përbashkët dërguar zyrtarëve rajonal të arsimit dhe prefektëve, qeveria franceze synon masa disiplinore më të ashpra dhe më të qëndrueshme ndaj nxënësve dhe personelit arsimor të përfshirë në bllokadat e shkollave të mesme, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit BFMTV, udhëzimi, i nxjerrë nga ministrat e Brendshëm dhe të Arsimit, kërkon praninë e policisë në orët e hershme të mëngjesit para shkollave që përballen me bllokada, si dhe udhëzon autoritetet që “të arrestojnë sistematikisht personat që shkaktojnë trazira”.
Drejtorëve të shkollave u është kërkuar gjithashtu të paraqesin padi civile në rastet që përfshijnë dëmtimin e pronës shkollore.
“Rivendosja e një atmosfere të qetë është përparësi absolute”, deklaruan ministrat, duke theksuar nevojën për t’u siguruar nxënësve mundësinë që të ndjekin mësimet dhe të përgatiten për provimet në kushte të përshtatshme.
Masat vijnë në një kohë kur në të gjithë vendin po zhvillohen protesta të nxënësve të shkollave të mesme, të cilat nisën në mesin e shtatorit për shkak të mungesës së mësimdhënësve, mbipopullimit të klasave, përkeqësimit të kushteve në objektet shkollore dhe mungesës së burimeve të nevojshme arsimore.
Derisa shumë prej bllokadave kanë qenë paqësore, në disa raste janë regjistruar akte vandalizmi dhe përleshje, si pasojë e të cilave kanë mbetur të lënduar nxënës dhe pjesëtarë të personelit arsimor.
Qeveria po përgatitet gjithashtu për protesta të reja të shtunën, ku në Paris pritet të marrin pjesë nga 30.000 deri në 60.000 protestues.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, tha se rreth 70.000 policë dhe xhandarë do të angazhohen në mbarë vendin për të garantuar sigurinë gjatë protestave.
Sindikalja SNPDEN-Unsa u ka bërë thirrje drejtorëve të shkollave që të mblidhen para institucioneve të tyre për të protestuar kundër dhunës.

