(VIDEO) Pas skandalit në gjinekologji spitali i Tetovës vendos rregullore të re

Spitali i Tetovës ka publikuar një rregullore të re pas skandalit me anestiziologun që bëri video në TikTok. Në letrën e nënshkruar nga drejtori Pëllumb Vela, thuhet se pas ngjarjeve të pahijshme në lidhje me spitalin e Tetovës, ka qenë të detyruar të përpilojnë këto rregulla.
Në këtë rregullore janë të shënuara rregulla se si të sillet stafi në rrjetet sociale kur bëhet fjalë për punën e tyre dhe publikimin e fotografive, videove dhe përmbajtjeve nga puna e tyre në Spitalin e Tetovës. Në rregullore shihen edhe sugjerime nga spitali për përdorimin e rrjeteve sociale.
LETRA E SPITALIT TË TETOVËS
“Mos nxjerrni informacione private dhe sekretet e pacientëve. Këtu përfshihen gjendja shëndetësore, fizike dhe emocionale e pacientëve. Historia e pacientit duhet të mbetet sekret profesional mes mjekut dhe pacientit. Thyerja e kësaj rregulle, dënohet edhe me ligjet e Maqedonisë së Veriut”.
Për të publikuar ndonjë storje të suksesit gjatë punës, në këtë rregullore thuhet se fillimisht duhet kaluar filtrin e profesionistëve që janë në spital.
LETRA E SPITALIT TË TETOVËS
“Gjithashtu, asnjëherë mos publikoni fotografi dhe video pamje të pacientëve, nëse nuk e keni siguruar deklaratën e shkruar nga pacienti. Pajtueshmëria verbale nga pacienti nuk është leje për publikim, pasi e njejta nuk mund të dëshmohet”.
Përndryshe, në Spitalin e Tetovës plasi një skandali gjatë javës së kaluar, ku mjeku anesteziolog i punësuar në këtë spital kishte publikuar një video live në TikTok ku shiheshin gra të cilët merrnin trajtim në repartin e pastrimit, si pjese e repartit të gjinekologjisë.
Samir Mustafa /SHENJA/