(VIDEO) Pas paralajmërimeve për pronarët, së shpejti nis largimi i makinave të braktisura
Problemi me mungesën e vendparkimeve është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet ndër vite Komuna e Çairit. Situatën e vështirësojnë edhe më shumë veturat e braktisura, të cilat me vite nuk lëvizin nga vendi dhe praktikisht e rëndojnë edhe më shumë gjendjen veçmë të vështirësuar në çdo cep të komunës.
Për të liruar parkingjet e bllokuara, komuna e Çairit ka filluar aksion duke u lënë hapsirë pronarëve të veturave të braktisura t’i largojnë ato, në të kundërtën të njëjtat do të largohen nga ana e autoriteteve.
Për këtë aksion, nga Komuna e Çairit për TV Shenja thonë se ende nuk ka filluar faza e largimit të automjeteve duke u lënë hapsrë shtesë pronarëve që të largojnë të njejtat, megjithatë njoftojnë se brenda javës aksioni për largimin e tyre do të fillojë.
KOMUNA E ÇARITI
“Në ditët në vijim, Komuna do të fillojë e aksionin për grumbullimin e automjeteve të braktisura, në përputhje me procedurat e parapara. Opinioni do të informohet në vazhdim për rezultatet konkrete, përfshirë numrin e automjeteve të larguara dhe vendparkimeve të liruara”.
Edhe pse nga komuna nuk tregojnë shifra konkret, informacionet jo zyrtare flasin se pas përfundimit të këtij aksioni, në Çair pritet të lirohen afërsisht 200 vendparkime të cilat aktualisht janë të bllokuara nga veturat e braktisura e të lëna në harresë.
Mevludin Imeri /SHENJA/

