(VIDEO) Pas helmimit nga uji në Gostivar pritet hepatiti “A” dhe “E”
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, thotë se faza akute e epidemisë në Gostivar po stabilizohet gradualisht. Tani fokusi i autoriteteve sipas ministrit do të jetë faza post akute, gjegjësisht , mundësia e paraqitjes së Hepatit A dhe E, si dhe të viruseve të tjera. Ai informoi se në katër ditët e fundit numri i rasteve të reja në Gostivar ka lëvizur midis 80 dhe 125 në ditë, por shtoi se për momentin nuk mund të përcaktohet saktësisht se sa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me epideminë dhe sa përfaqëson gjendjen normale shëndetësore. Ndërsa ju bëri apel mjekëve amë që të ndjekin gjendjen shëndetësore të pacientëve që do të paraqiten në periudhën në vijim.
Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë
“Lidhur me këtë monitorim të përforcuar shëndetësor, udhëzimet e duhura do t’i dërgohen Qendrës së Shëndetit Publik, institucioneve shëndetësore, mjekëve familjarë dhe do të jepen udhëzime për komunikimin me popullatën. Është thelbësore të ketë njohje të hershme në mënyrë që të mund të reagojmë në mënyrë të përshtatshme, dhe institucionet shëndetësore janë tashmë të përgatitura për sa i përket kapacitetit të testimit dhe trajtimit”.
Lidhur me kërkesën për dorëheqjen e tij nga opozita LSDM, Klekovski tha se do të analizohet se si ka reaguar gjithë sistemi dhe u shpreh se nëse ka bazë është i gatshëm të japë përgjegjësi.
Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë
“Do ti publikojmë të gjitha të dhënat në mënyrë shumë transparente të cilat janë të verifikueshme. Ne nuk do të japim deklarata politike si dikush tjetër. Do t’i publikojmë të gjitha të dhënat nga 1 qershori deri tani për 12 vitet e kaluara… Nëse rezulton se ka pasur bazë për të reaguar, të gjithë, përfshirë edhe mua, do të mbajmë përgjegjësi sepse çështja është të mësojmë diçka nga ajo që po ndodh, çështja nuk është vetëm të themi se kush është fajtor, duhet të bëjmë diçka që të mos përsëritet më”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit edhe 110 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Gostivar.
Emine Ismaili /SHENJA/

