(VIDEO) Partitë me akuza të ndërsjellta për bllokimin e kodit zgjedhor
VMRO-DPMNE sërish akuzoi se LSDM po bllokon miratimin e Kodit Zgjedhor për shkak të, siç thonë nga partia, frikës nga humbja në zgjedhje dhe humbja e mbështetjes nga diaspora. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, tha se politikat e ish-qeverisë së udhëhequr nga LSDM kanë çuar në emigrimin e një numri të madh qytetarësh, ndërsa tani, siç tha ai, me më shumë se 10.000 amendamente po bllokohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas Manasievskit, arsyeja e vërtetë e bllokadës është frika nga një humbje edhe më e madhe në zgjedhjet e ardhshme, duke shtuar se LSDM nuk ka vizion politik dhe se me veprimet e saj po i shkakton dëm shtetit dhe qytetarëve.
VALENTIN MANASIEVSKI, ZËDHËNËS I VMRO-SË
“Venko Zaev dhe LSDM jo vetëm që i detyruan qytetarët të largohen nga shteti, por tani nuk duan as t’ua lehtësojnë mënyrën e votimit në zgjedhjet në Maqedoni, sepse e dinë se nuk do ta fitojnë mbështetjen e tyre. Për këtë arsye, ata po e bllokojnë Kodin Zgjedhor me mbi 10 mijë amendamente. Kjo është arsyeja e vërtetë e bllokimit të Kodit Zgjedhor – frika nga një humbje edhe më e madhe në zgjedhjet e ardhshme”.
Ai theksoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë marrë vlerësime pozitive nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Mihalis Rokas.
Ndërkaq, deputeti i Levicës, Amar Mecinoviq, vlerëson se bllokimi i Kodit të ri Zgjedhor është rezultat i një marrëveshjeje politike shumëvjeçare mes partive më të mëdha për ruajtjen e modelit aktual zgjedhor, i cili, sipas tij, u sjell atyre përfitimin më të madh.
AMAR MECINOVIQ, DEPUTET I LEVICËS
“Pse nuk kemi Kod të ri Zgjedhor dhe pse ai tani është bllokuar në Kuvend? Prej tridhjetë vitesh, rregullat e lojës zgjedhore hartohen sipas vullnetit të partive të mëdha, e jo sipas vullnetit të qytetarëve dhe nevojave të demokracisë sonë. Tani nuk kemi Kod të ri Zgjedhor, sepse që në fillim kishte një komplot që ai të mos miratohej kurrë”.
Mecinoviq theksoi se prej tridhjetë vitesh VMRO-DPMNE dhe LSDM i përshtatin rregullat e lojës sipas interesave të tyre, ndaj siç thotë ai, edhe votimi elektronik i diasporës ishte një komplot që VMRO-DPMNE ia ofroi LSDM-së për ta arsyetuar bllokimin e tyre. Mecinoviq tha se LSDM-ja është e gatshme të bashkëpunojë edhe me Mickoskin për të ruajtur Kodin aktual Zgjedhor, nga frika e një humbjeje të rëndë në zgjedhjet e ardhshme. /SHENJA/

