(VIDEO) Paralizimi i lehonës nga Strumica, MSH thotë se nuk kishte gabim mjekësor
Komisioni për Mbikëqyrjen e Punës Profesionale, i themeluar nga Ministri i Shëndetësisë, për të hetuar çështjen e lehonës nga Strumica, e cila mbeti e paralizuar disa ditë pas lindjes me prerje cezariane njoftoi se nuk është konstatuar asnjë lëshim apo gabim mjekësor. Sipas tyre gjendja e saj neurologjike nuk ishte pasojë e anestezionit spinal të përdorur gjatë lindjes e as e gabimit mjekësor në asnjë nga institucionet shëndetësore ku ajo u trajtua. Ministri i shëndetësisë Sasho Klekovski tha se arsyejet përfundimtare akoma nuk janë vërtetuar dhe se kur gjendja shëndetësore e pacientes të lejojë do t’i bëhen analiza të tjera shtesë, me qëllim të përcaktimit të shkaktarit të gjendjes së saj.
SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Kur një nënë e re përballet me pasoja të tilla pas lindjes, ia kemi borxh asaj, familjes së saj dhe publikut t’i japim një përgjigje të qartë dhe profesionale. Kjo është arsyeja pse formuam një komision me ekspertë nga vendi dhe jashtë vendit. Përfundimi i tyre është unanim, nuk kishte gabim mjekësor. Kjo nuk e zvogëlon ashpërsinë e asaj që po kalon. Ministria do të vazhdojë t’i ofrojë asaj të gjithë mbështetjen e nevojshme në trajtim dhe rehabilitim”.
Sipas gjetjeve të Komisionit, kujdesi gjatë shtatzënisë, referimi në Spitalin Klinik në Shtip, lindja me prerje cezariane, anestezioni dhe ndjekja pas operacionit u kryen sipas protokolleve në fuqi dhe praktikës së mirë klinike. Anestezia spinale u dha në pjesën lumbare (të poshtme) të shtyllës kurrizore, me një ilaç dhe dozë standarde. Sipa tyre, pacientja u lirua nga spitali pa simptoma neurologjike, të cilat u shfaqën disa ditë më vonë. Sipas Komisionit, shkaku më i mundshëm është gjakderdhja spontane nga një keqformim i rrallë i enëve të gjakut në palcën kurrizore, i cili nuk mund të zbulohet me angiografi.
Lehona 19 vjeçare kishte lindur fëmijën e 2 me prerje cezariane në 26 qershor të këtij viti. Pas operacionit sipas raportimeve të familjes kishte pasur dobësi në të dyja këmbët, ndërsa më pas gjendja iu ishte përkeqësuar dhe kishte përfunduar në karrocë invalidore.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

