(VIDEO) Oda e Tregtarëve: Po u kufizua marzha mbyllen 800 dyqane

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar kufizim të marzhave në 10% në tregti me pakicë dhe shumicë. Vendimi, sipas paralajmërimeve do të vlejë deri më 30 prill dhe do të përfshijë mbi 100 grupe produktesh. Siç informoi Qeveria krahas produkteve bazike ushqimore, vendimi do të përfshijë edhe pajisje higjienike, ushqim për foshnje dhe produkte jo ushqimore, të cilët kanë marzhë shumë të lartë, ndërsa janë pjesë e nevojave bazike të qytetarëve.
Qeveria
“Vendimi do të merret në bazë të raportit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, sipas të cilit shitësit janë konstatuar se kanë mbi 20 për qind marzhe për produktet ushqimore bazë dhe mbi 30 për qind për produktet e higjienës personale, ndërsa importuesit dhe distributorët kanë shënuar marzhe më të larta, madje deri në 50 për qind”.
Ndërkaq, Oda Ekonomike e Tregtarëve me Shumicë dhe Pakicë, kërkon takim urgjent me Qeverinë lidhur me vendimin për kufizimin e marzheve. Siç njoftojnë nga Oda vendimi që përcakton kufirin e marzhit prej 10 për qind do të vërë në pikëpyetje mbijetesën e tregtarëve me pakicë dhe ata do të detyrohen të pushojnë nga puna dhe të mbyllin dyqanet. Dëmet, sipas Odës, do të jenë të mëdha, pasi rrezikohet mbijetesa e 86 kompanive tregtare me 790 dyqane dhe 4700 punonjës.
Oda Ekonomike e Tregtarëve me Shumicë dhe Pakicë
“Ne e sfidojmë plotësisht vendimin për të kufizuar marzhet në 10 për qind. Ne nuk do të mund të mbijetojmë me këtë lloj marzhi. Ne do të duhet të marrim vendime kufizuese për të pushuar nga puna punonjësit tanë, për të ristrukturuar operacionet dhe për të mbyllur marketet. Prandaj kërkojmë urgjentisht të gjendet një zgjidhje e përbashkët. Ne sugjerojmë të merren parasysh analizat që kanë treguar se tregjet nuk janë përgjegjëse për rritjen e çmimeve, por përkundrazi se politika e çmimeve drejtohet nga furnitorët dhe prodhuesit”.
Kujtojmë se, gjatë dy të premteve të fundit, qytetarët kanë bojkotuar marketet për shkak të çmimeve të larta, çka ka rezultuar me rënie të dukshme të qarkullimit ditor të zinxhirëve më të mëdha të marketeve në vend.
Teuta Buçi /SHENJA/