(VIDEO) Nuk pritet rritje e çmimit të energjisë elektrike

(VIDEO) Nuk pritet rritje e çmimit të energjisë elektrike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi deklaroi se nuk pritet rritje e çmimit të energjisë elektrike nga 1 korriku i këtij viti, atëherë kur është paraparë të shpallet çmimi i ri. Në konferencën e përbashkët me kreun e EMV-së, Vasko Kovaçevski, Bekteshi tha se presin që të ketë ulje të mëtejshme të çmimit.

KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË

“Jemi në koordinim edhe me Komisionin rregullator për energjetikë, e cila është përgjegjëse për çmimet e energjisë elektrike. Tashmë janë duke u bërë disa analiza dhe opsione të caktuara janë duke u analizuar në detaje si me fakultetet ashtu edhe me ekspertët për të ndryshuar mënyrën e përcaktimit të çmimit të energjisë elektrike”.

Gjatë ditës së djeshme janë prodhuar 21.611 megavat orë energji elektrike, që është përmirësim nga një ditë më parë, kur kemi pasur prodhimin më të lartë në dhjetë vitet e fundit, informoi drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski.

VASKO KOVAÇEVSKI, DREJTOR I ELEKTRANAVE TËMAQEDONISË SË VERIUT

“Nga 1 janari i këtij viti deri më tetë shkurt kemi prodhuar mbi 720 mijë megavat orë, që është 40 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. EMV ka përfshirë të gjitha objektet shtetërore të prodhimit të energjisë, si tre blloqet në REK Manastir, REK Osllomej, TEK Negotinë, si dhe dy termocentralet me gaz në Shkup. Të përfshira në bilancin e shërbimeve të sistemit janë të gjitha 27 kapacitetet hidrike”.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se në rast se nuk ulen çmimet e produkteve bazë të ushqimit, kompanitë nuk do të marrin energji elektrike të subvencionuar, ndërsa paratë do të rialokohen në ndihmë direkte për qytetarët.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

 

MARKETING