(VIDEO) Njëri prej tre kandidatëve sot vihet në krye të LSDM-së

(VIDEO) Njëri prej tre kandidatëve sot vihet në krye të LSDM-së

Nga ora 08:00 e mëngjesit anëtarët e LSDM-së, votojnë për kryetarin e ri të partisë. Votimi do të jetë i hapur deri në ora 20:00, ndërsa në garë janë 3 kandidatë. Ditën e fundit nga gara u tërhoq kandidatja dhe ish ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, kështu në garën për të zënë vendin e të parit të partisë mbeten ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski dhe zëvendësministri për shoqëri informatike dhe administratë, Aleksandar Bajdevski. Në fushatën e tyre zgjedhore kandidatët paralajmëruan reforma në parti dhe unifikim të anëtarësisë.

Votimi mbahet në 77 qendra votimi, ndërsa të drejtë vote kanë rreth 23 mijë anëtarë të partisë. Numri i antarëve që janë paraqitur për votim është shumë më i vogël nga zgjedhjet e para dhe të dyta të zgjedhjes së liderit të LSDM-së, kur numëroheshin mbi 60 000, ose mbi 40 000 vota.

Për të fituar zgjedhjet, kandidatët do duhet të grumbullojnë 50 % plus një votë të antarëve që do të dalin të votojnë. Nëse kjo nuk ndodh, dy kandidatët më të votuar do të përballen në rrethin e dytë më 7 korrik.

Deri te këto zgjedhje erdhi, pasi që LSDM në zgjedhjet e dyfishta parlamentare dhe presidenciale që u mbajtën këtë vit, përjetoi humbje të thellë, pas çka kryetari Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti kryetar i LSDM-së.

Deri tani në krye të LSDM-së përveç Kovaçevskit kanë qenë, Branko Cërvenkovski, Vllado Buçkovski, Radmilla Shekerinska dhe Zoran Zaev.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING