(VIDEO) Nga marsi, Çairi, Gazi Baba dhe Aerodromi me makina elektrike me qira
Nga marsi i vitit të ardhshëm banorët e Shkupit do të mund të shfrytëzojnë vetura elektrike për nevojat e tyre të udhëtimit. Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti dhe ministrja e Energjetikës Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska sot nënshkruan letrën e qëllimit për mbështetjen e zbatimit të projektit “100% carsharing elektrik” në Shkup, projekt i kompanisë “AVANT CAR” nga Sllovenia dhe i cili do të sigurojë qindra vetura elektrike në shërbim të qytetarëve të RMV-së. Zv/kryeministri Izet Mexhiti tha se ky projekt fillimisht do të zbatohet në 3 komuna të qytetit të Shkupit, në komunën e Çairit, Gazibabës dhe Aerodromit. Ai theksoi se qytetarët do të kenë mundësi për transport më ekonomik pa e cënuar mjedisin.
IZET MEXHITI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR
“Nënshkrimi i letrës së qëllimeve për të mbështetur sistemin elektrik Car sharing përfaqëson një aksion konkret dhe të dukshëm për të zgjidhur një nga sfidat më urgjente me të cilat përballemi, ajrin e ndotur. Kjo është një mundësi drejtë një Shkupi më të shëndetshëm dhe më ekologjik, që të mundësojmë Shkupi të jetë një qytet që kujdeset për qytetarët e vet. Qyteti ynë kohë të gjatë po përballet me pasojat e ndotjes urbane prandaj synimi është që në këtë mënyrë të ndikojmë drejtëpërdrejtë dhe të reduktojmë emetimet e Cо2 dhe ndotjen që është prioriteti ynë si ministri”.
Ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinoska tha se me këtë lloj transporti cilësia e ajrit në Shkup do të përmirësohet dukshëm, sepse siç tha ajo shembujt në Europë ku përdoret ky lloj transporti thonë se një veturë e tillë elektrike zëvendëson 10 vetura të tjera.
SANJA BOZHINOSKA MINISTRE E ENERGJETIKËS MINIERAVE DHE BURIMEVE MINERALE
“Avant Car ka vërtetuar tashmë potencialin transformues të projekteve të saj në qytete në të gjithë Europën në Lubjanë. Zagreb Vienë. sistemi I tyre ndarjes së automjeteve elektrike ka reduktuar ndjeshëm bllokimet e trafikut dhe ka përmirësuar cilësinë e ajrit. I mundësuar nga energjeria e rinovueshme ka vendosur një pike referimi për zgjedhjet e lëvizshme të gjelbërt. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë dhe infrastrukturën por bëhet fjalë për njerëzit, për sigurimin e ajrit më të pastër reduktimin e kaosit të trafikut dhe mundësimin e transportit efikas dhe të përballueshëm për të gjithë”.
Përfaqësuesi i kompanisë investuese Matej Qer tha se qindra automjete elektrike tashmë kanë mbërritur në vend dhe se për to janë siguruar lokacione, në komunat e Aeroportit, Gazi Babës dhe Çairit. Ai tha se çmimet për këtë shërbim do të jenë të përballueshme , duke filluar nga 3 deri në 6 euro për një udhëtim.
MATЕЈ QER PËRFAQËSUES I GRUPACIONIT AVANT CAR
“Qindra makina janë tani në dispozicion për Shkupin. Shërbimi është shumë i thjeshtë, ju duhet një aplikacion në telefon dhe e rezervoni makinën, kur ta përfundoni e leni në vend parkim adekuat. Pagesa bëhet me kartelë. Avant Car është në treg mbi 21 vite. AvantGO është shërbim që funksionon 24/7. Ne kemi filluam me pilot projektin në Lubjanë dhe tashmë këto makina janë pjesë e përditshmërisë së tyre. Me këtë projekt ulet ndotja dhe shfrytëzuesit kanë më pak shpenzime. Kemi makina cilësore, nga makinat m5 të vogla deri te tjerat më të mëdha që shfrytëzohen edhe për mallra”.
Ministrat theksuan se ky projekt do t’i mundësojë qytetit të Shkupit ajër të pastër dhe transport më të lehtë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/