(VIDEO) Nëntë vjet nga “përgjakja e Kuvendit”
“27 prilli është një kujtesë e vështirë dhe e përgjakshme se sa lehtë një qeveri kriminale dhe jodemokratike mund ta shtyjë vendin në humnerë”, kështu deklaron zëdhënësja dhe anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Bogdanka Kuzeska. Ajo tha se 27 prilli ishte një përpjekje e organizuar për grusht shteti, e drejtuar nga VMRO dhe Nikolla Gruevski. Kuzeska theksoi se pasi VMRO erdhi në pushtet, njerëzit e dënuar për 27 prillin lirohen nga burgu vetëm me një firmë dhe riaktivizohen sërish.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Sot, i njëjti ekip. E njëjta bandë. E njëjta matricë kriminale. Të njëjtët njerëz, të njëjtat metoda, e njëjta axhendë. Sot, nën udhëheqjen e Hristijan Mickoskit, Maqedonia po shtyhet përsëri drejt një shteti të robëruar: Gjyqtarët dhe prokurorët po zgjidhen nën kontrollin e tij, Institucione të kapura, Rehabilitimi i autorëve të krimeve, Linçim dhe sulme publike ndaj opozitës, asgjë nuk ka ndryshuar në VMRO-OKG”.
Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski sot, duke komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me rastin “27 Prilli”, rihapi çështjen e sfondit ligjor dhe politik të procesit. Ai vlerësoi se rasti është një shembull klasik , siç tha ai, i një gjyqi të motivuar politikisht të zhvilluar gjatë kohës së qeverisë së mëparshme, në të cilin disa nga të pandehurit u trajtuan padrejtësisht si terroristë.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Njerëzit që nuk janë terroristë përfunduan me një kualifikim të tillë, megjithëse në thelb bëhet fjalë për vepra të ndryshme penale për të cilat duhet të ketë përgjegjësi. Jo vetëm kualifikimet janë të diskutueshme, por edhe mënyra se si është zhvilluar i gjithë procesi. Derisa këto pyetje të marrin një përgjigje të qartë dhe të padiskutueshme, vështirë se mund të flasim për një përfundim të plotë ligjor. Aspektet e mbetura të çështjes duhet të lihen brenda kornizës së institucioneve të drejtësisë”.
Tutje Mickoski tha se shteti nuk do të jetë në gjendje të ecë përpara pa sqaruar ato që ai i quajti dy rastet kryesore – rolin dhe veprimet e ish-prokurores speciale Katica Janeva dhe rrethanat rreth ngjarjeve të “27 Prillit”.
Anida Murati /SHENJA/

