(VIDEO) Në shtatë muajt e parë, RMV u vizitua nga 741.446 turistë
Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Maqedoninë e Veriut, e kanë vizituar gjithsej 741.446 turistë. Kështu bënë me dije Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Ditën Botërore të Turizmit, nga ku njoftojnë se është shënuar rritje e numrit të turistëve të huaj. Ata përmendin që ndër mysafirët e huaj më të shumtë janë turistët nga Turqia, Gjermania, Serbia, Rumania dhe Shqipëria.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit
“Këto rezultate theksojnë rëndësinë e promovimit të vazhdueshëm të Maqedonisë, zhvillimit të cilësisë së shërbimeve turistike dhe zhvillimit të një oferte turistike autentike, të qëndrueshme dhe konkurruese, në përputhje me nevojat e turistëve bashkëkohorë”.
Nga kjo ministri theksojnë se inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi hapin mundësi të reja për menaxhim më efikas të drejtimeve turistike, planifikim më të mirë dhe krijimin e përvojave turistike më të personalizuara, më gjithëpërfshirëse dhe më cilësore.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit
“Në bashkëpunim me sektorin privat dhe të gjithë faktorët në turizëm, vazhdojmë me përkushtim të krijojmë kushte për zhvillimin e një sektori turistik bashkëkohor dhe konkurrues, i cili do t’i ndjekë trendet botërore, do t’i ruajë vlerat tona dhe do të hapë mundësi të reja për qytetarët dhe ekonominë”.
Siç bëjnë me dije ata, tema e sivjetme, e përcaktuar nga Organizata Botërore e Turizmit pranë Kombeve të Bashkuara është „Agjenda digjitale dhe inteligjenca artificiale për ridizajnimin e turizmit“. Qeveria dhe Ministria e Kulturës dhe e Turizmit theksojnë ata e njohin turizmin si faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të shtetit. Prandaj shtojnë se vizioni është që Maqedonia të pozicionohet si drejtim turistik i njohur ndërkombëtarisht, përmes vlerësimit dhe promovimit të trashëgimisë së pasur kulturore dhe natyrore.
Emine Ismaili /SHENJA/

