(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese, priten ekspertët për grupin e punës

(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese, priten ekspertët për grupin e punës

Emrat e ekspertëve që do të jenë pjesë e grupit të punës pritet të publikohen gjatë ditës së sotme. Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq ditë më parë informoi se pas festave  grupi  I punës do t’i formulojë propozimet për amendamentet kushtetuese. Pas atij formulimi pritet që të ketë debat publik e më pas propozimi do të hyjë në Kuvend. Mariçiq tha se Maqedonia  e Veriut nuk ka kohë për të humbur dhe Kushtetuta duhet të ndryshohet sa më shpejt, sepse gjithnjë e më shumë shtrohet çështja për të ardhmen e pasigurt evropiane të vendit.

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski  gjithashtu tha se është në dorë të deputetëve që të demonstrojnë kapacitet demokratik dhe të vendosin për ardhmërinë evropiane të qytetarëve.

Në Grupin e Punës tashmë janë propozuar zyrtarisht 13 anëtarë, të cilëve duhet t’i bashkohen edhe ekspertët. Nga partitë janë propozuar: Cvetanka Ivanova-LSDM , Arbër Ademi-BDI,  Remzi Mehmedi-Aleanca për Shqiptarët , Sonja Mirakovska-PRSD,  Nano Ruzhin-PLD, Hrista Najdanov-RDM,  Temellko Risteski-Partia e Pensionistëve,  Rametulla Kuqi-PDSH, Eran Kurtish-Partia për Lëvizjen e Turqve, Bejxhan Iljas-Partia Demokratike e Turqve. Ndërkaq, nga institucionet janë propozuar:   Alleksandar Spasov-Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,  Dragan Tillev-Sekretariati për Çështje Evropiane, Shpend Sadiki-Ministria e Punëve të Jashtme.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se për të, tema e grupit të punës është çështje e mbyllur. Kryeministri Dimitar Kovaçevski u përgjigj se Mickoski nuk është deputet dhe për këtë arsye nuk është i përshtatshëm për të folur për këtë çështje. Mickoski disa herë ka përsëritur se nuk do të ketë ndryshim të Kushtetutës në këtë përbërje parlamentare

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING