(VIDEO) Ndotja e ujit në Gostivar, LSDM dorëzoi kallëzim penal ndaj Ministrit të Shëndetësisë

(VIDEO) Ndotja e ujit në Gostivar, LSDM dorëzoi kallëzim penal ndaj Ministrit të Shëndetësisë

Partia opoziare maqedonase LSDM, sot ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, drejtoreshës së Institutit për Shëndet Publik, Marija Andonovskës, drejtorit të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Kiril Lazovit, si dhe drejtorit të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë, Shpend Ameti. Ata akuzohen nga LSDM-ja për mosveprim dhe vonesë në ndërmarrjen e masave pas ndotjes së ujit në Gostivar, situatë që sipas opozitës çoi në një krizë serioze shëndetësore. Nga LSDM-ja thonë se për më shumë se një muaj nuk ka pasur përgjegjësi institucionale për rastin, ndërsa kërkojnë që përgjegjësia të mos mbetet vetëm në nivel lokal.

MARKETING

Description of image

JON FËRÇKOSKI, LSDM

Ekzistojnë dyshime të bazuara se gjatë periudhës nga qershori i vitit 2026 e deri më sot, në cilësinë e personave zyrtarë apo përgjegjës në institucionet që drejtojnë, nuk kanë ndërmarrë veprimet dhe masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e pasojave nga ndotja e ujit në Gostivar. Ata nuk kanë respektuar rregulloret për mbrojtjen e njerëzve dhe mjedisit”.

Sipas opozitës, rreth 5 mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa institucionet kanë reaguar me vonesë ndaj shqetësimeve shëndetësore dhe ndotjes së ujit.

Nga LSDM-ja pretendojnë se qytetarët për 22 ditë kanë konsumuar ujë të ndotur dhe se, edhe pse çdo ditë rreth 200 persona paraqiteshin me probleme shëndetësore, për pesë ditë nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim për të përcaktuar shkakun.

JON FRÇKOSKI, LSDM

Informacionet për gjendjen e ujit iu fshehën qytetarëve dhe asnjëherë nuk u publikua analiza apo raporti përkatës. Të gjitha këto mosveprime çuan në pasoja serioze dhe të rënda për shëndetin e qytetarëve të Gostivarit. Me këto veprime dhe mosveprime, të kallëzuarit dyshohet se kanë kryer disa vepra penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare. Nuk ka skandal më të madh, e as papërgjegjshmëri më të madhe, sesa të luash në këtë mënyrë me jetën e qytetarëve”.

LSDM-ja kërkon nga Prokuroria Publike të hetojë të gjitha pretendimet e përfshira në kallëzimin penal dhe të përcaktojë përgjegjësinë e institucioneve dhe personave të përfshirë. Nga partia opozitare thonë se rasti nuk duhet të mbetet pa epilog dhe se përgjegjësia, sipas tyre, duhet të jetë edhe politike edhe penale.

Kujtojmë se gjithçka nisi në Gostivar me paraqitjen e një numri të madh qytetarësh me simptoma të helmimit, pas konsumimit të ujit të ndotur. Situata u përshkallëzua, kur mijëra qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe në qytet u shpall epidemi. Rasti nxiti reagime të shumta dhe akuza për reagim të vonuar të institucioneve, ndërsa tani çështja ka marrë edhe epilog juridik, me kallëzime penale ndaj disa zyrtarëve. Hetimi pritet të tregojë se kush mban përgjegjësi për krizën shëndetësore që tronditi Gostivarin.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING