(VIDEO) Mungesa e himnit shqiptar në Pustec, reagon Rama: Parodi domethënëse
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) ka reaguar në lidhje me mungesën e himnit shqiptar në një aktivitet në Pustec, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Në një deklaratë për mediat, nga ministria kanë thënë se, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.
MEPJ
“Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme. Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon”.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, njoftoi se aktiviteti ishte organizuar nga shoqata “VMRO-DPMNE Shqipëri” dhe kërkoi ndjesë për këtë incident.
Pali Kolefski, Kryetar i Bashkisë së Pustecit
“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, i pyeta organizatorët, konkretisht kryetarin e shoqatës së VMRO-së në Shqipëri, për programin zyrtar. Më thanë se do të kishte këngë dhe valle tradicionale maqedonase dhe se aktiviteti do të fillonte me himnin maqedonas. I kërkova që, kur të luhej himni maqedonas, të luhej edhe himni shqiptar, sepse kështu duhet të jetë në çdo pritje apo ceremoni zyrtare. Ne jemi qytetarë shqiptarë, jetojmë këtu dhe himni duhet të respektohet dhe kërkojë ndjesë vërtetë”.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në platformën X, duke e cilësuar ngjarjen si një parodi të nacionalizmit ballkanik, ndërsa ka vlerësuar qëndrimin e kryetarit të Bashkisë së Pustecit.
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
“Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund”.
Në një aktivitet me karakter kulturor që u mbajt të enjten në Pustec të Shqipërisë, ku jeton kryesisht pakica kombëtare maqedonase, ku i pranishëm ishte edhe Mickoski, u raportua se nuk është intonuar himni shqiptar, por vetëm himni i Maqedonisë së Veriut. Kjo situatë ka shkaktuar reagime në Shqipëri. /SHENJA/
Mungesa e himnit shqiptar në Pustec, reagon Rama: Parodi domethënëse

