(VIDEO) Ministria e ekonomisë do të shpërndajë 3 555 vauçer për turizëm

(VIDEO) Ministria e ekonomisë do të shpërndajë 3 555 vauçer për turizëm

Ministria e Ekonomisë këtë vit do të ndajë  3.555 vauçerë në vlerë prej 18.000 denarëve për pushime në vendet turistike të RMV, për punëtorët të ardhurat mujore të të cilëve në familje nuk i kalojnë të ardhurat neto prej 50.000 denarëve, njoftoi ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Siç bëri të ditur ai thirrja publike do të publikohet të hënën, më 12 shkurt, dhe të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë personat fizikë që janë të punësuar dhe që të ardhurat mujore në familje nuk i kalojnë të ardhurat neto prej 50.000 denarëve.

KRESHNIK BEKTESHI MINISTËR I EKONOMISË

“Kemi vendosur që nga dita e hënë të shpallim thirrjen publike, ku të gjithë të punësuarit me të ardhura të ulëta deri në 50 mijë denarë të kenë mundësi që të aplikojnë në ministrinë e ekonomisë për të shfrytëzuar vauçerë për turizëm vendor në vlerë prej 18000 denarëve, ku janë paraparë të ndahen diku rreth 3500 vauçerë për të njejtën masë. Ministria e ekonomisë nga periudha e pas kovidit i realizon të njejtat masa me qëlim që tu mundësojë të punësuarve me të ardhura të ulëta të kenë mundësi të vizitojnë destinacione turistike në RMV dhe në mënyrë indirekte të ndihmojë zhvillimin e gastronomisë dhe hotelerisë në RMV”.

Bekteshi tha se vauçerët do të mund të shfrytëzohen nga momenti i pranimit deri më 30 qershor 2024 dhe nga 15 shtatori deri më 1 dhjetor 2024. Për të marrë pjesë në thirrjen publike, siç tha ai, aplikantët duhet të paraqesin kërkesë në Ministrinë e Ekonomisë,e cila gjendet në ueb faqen ose në Arkivin e Ministrisë, vërtetim nga punëdhënësi për shumën e pagës së paguar dhe një deklaratë bankare për tre muajt e fundit për aplikantin dhe anëtarët e familjes së ngushtë, vërtetim nga Agjencia e Punësimit që vërteton se anëtarët e familjes së ngushtë nuk janë të punësuar. Për anëtarët e familjes që janë mbi 18 vjeç dhe janë gjimnazistë ose studentë, dorëzohet vërtetim nga institucioni arsimor. Gjithashtu, aplikanti duhet të dorëzojë edhe fotokopje të letërnjoftimit dhe  një certifikatë lindjeje për të dhe familjen e tij si dhe dëshmi të anëtarëve të ngushtë të familjes si certifikatë martesore. Afati për aplikim do të jetë i hapur deri më 29 shkurt 2024, tha Bekteshi.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING