Koreja e Jugut përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar materialet e abuzimit seksual ndaj fëmijëve në internet
Koreja e Jugut ka vënë në përdorim një sistem të inteligjencës artificiale (IA) për zbulimin dhe heqjen e materialeve që përmbajnë abuzim seksual ndaj fëmijëve në internet, duke rritur gati dhjetëfish shkallën ditore të zbulimit, njoftoi të martën Ministria e Barazisë Gjinore dhe Familjes, transmeton Anadolu.
Qendra Kombëtare për Reagimin ndaj Krimeve Seksuale Digjitale e prezantoi sistemin e bazuar në inteligjencën artificiale në prill, me qëllim luftimin e formave gjithnjë në ndryshim të krimeve seksuale në mjedisin digjital, raportoi Agjencia e Lajmeve Yonhap, duke iu referuar ministrisë.
Nga prilli deri në shtator, sistemi identifikoi 96.210 raste të materialeve që përmbajnë abuzim seksual ndaj fëmijëve dhe u dërgoi platformave në internet njoftime për heqjen e tyre.
Numri mesatar i rasteve të zbuluara në ditë arriti në 202.1 për çdo punonjës të angazhuar në monitorim, krahasuar me 20,8 raste vitin e kaluar.
Sistemi, i cili funksionon gjatë gjithë kohës, monitoron rrjetet sociale dhe aplikacionet e bisedave me persona të rastësishëm, duke identifikuar përmbajtjet e dyshuara si të paligjshme, të cilat më pas shqyrtohen nga punonjësit para se të paraqiten kërkesat për heqjen e tyre.
Ministria planifikon që vitin e ardhshëm ta zgjerojë monitorimin në 139 platforma në internet, nga 74 sa janë këtë vit, si dhe të përmirësojë saktësinë e zbulimit përmes trajnimeve shtesë të sistemit.
Qendra, e themeluar në vitin 2018, mbështeti 10.637 persona vitin e kaluar, përfshirë 3.052 viktima nën moshën 20-vjeçare.
Më herët, policia e Koresë së Jugut arrestoi 3.557 të dyshuar për raste të abuzimit seksual në internet gjatë periudhës nga nëntori 2024 deri në tetor 2025, ku adoleshentët përbënin gati gjysmën e tyre. Veprat penale që lidhen me manipulimin e imazheve përmes teknologjisë deepfake përbënin 35,2 për qind të rasteve.

