(VIDEO) Ministri Osmani për vizitë në Serbi, takon homologun e tij serb, Daçiq

(VIDEO) Ministri Osmani për vizitë në Serbi, takon homologun e tij serb, Daçiq

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe kryesues me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropës (OSBE), Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Beograd është takuar me homologun e tij serb, Ivica Daçiq. Ministria e Punëve të Jashtme informoi se Osmani porositi se OSBE-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e procesit për reforma në Serbi dhe në rajon.

BUJAR OSMANI

“Pajtimi, ndërtimi i besimit dhe lufta kundër korrupsionit, këto tema të rëndësishme, së bashku me zgjidhjen e sfidave të sigurisë, të ndryshimeve klimatike përmes një qasjeje rajonale, janë tre prioritetet kryesore për Ballkanin Perëndimor të kryesimit tonë me OSBE-në”.

Duke shprehur ngushëllimet e sinqerta për humbjen e jetëve të pafajshme pas ngjarjeve fatkeqe që e goditën Serbinë, Osmani në cilësinë e kryesuesit të OBSE-së u fokusua në sfidat aktuale.

BUJAR OSMANI

“OSBE-ja sot po lëviz nëpër ujëra të trazuara. Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës i ka prishur parimet bazë të OSBE-së. Si Kryesi, punojmë në sigurimin e mbështetjes për Organizatë funksionale dhe fleksibile, duke ofruar mjete të llojllojshme me qëllim që të ndihmojmë në rivendosjen e paqes dhe sigurisë. Qëllimi ynë është që ta kthejmë dialogun dhe ta promovojmë bashkëpunimin”.

Ai potencoi se situata aktuale kërkon vendimmarrje kolektive, të përgjegjshme, si asnjëherë më parë, si dhe shtim të detyrueshëm të përpjekjeve për multilateralizëm efektiv, me qëllim të vendosjes së paqes dhe bashkëpunimit.  Osmani theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi konstruktiv duhet të jenë imperativ, duke shprehur mbështetje të fuqishme të OSBE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Në këtë kontekst iu referua rëndësisë së takimit i cili u mbajt në Ohër me çka edhe më tej u hap rruga për normalizimin e marrëdhënieve. Kryesuesi i OSBE-së njoftoi se vizitën e tij në Serbi do ta vazhdojë në frymën e motos së kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në “Fjala është për njerëzit”. /SHENJA/

MARKETING