(VIDEO) Shifra alarmante: Rritet për 118% numri i fëmijëve viktima
Numri i fëmijëve viktima të evidentuar në gjykatat e Maqedonisë së Veriut në vitin 2025 është rritur për 118 për qind krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, numri i fëmijëve kryerës të kundërvajtjeve është rritur për 54 për qind. Këto të dhëna janë pjesë e raportit vjetor të Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe Drejtësinë për Fëmijët, i cili evidenton mangësi në mbrojtjen e të miturve.
Gjatë vitit 2025, Ministria e Punëve të Brendshme ka evidentuar 694 fëmijë viktima të veprave penale, prokuroritë publike 629, gjykatat 404, ndërsa qendrat për punë sociale 334. Këto janë evidenca të veçanta institucionale dhe nuk përfaqësojnë numrin e përgjithshëm të fëmijëve të ndryshëm.
Në stacionet policore janë thirrur 1.201 fëmijë, kundrejt 1.246 në vitin 2024. Në të gjithë vendin ekzistojnë vetëm tri dhoma të pajisura posaçërisht për biseda me fëmijët, ku gjatë vitit të kaluar janë marrë në pyetje vetëm 16 fëmijë, ose 1,2 për qind e të gjithë të thirrurve në polici. Problem mbetet edhe ndihma juridike. Në vitin 2025, të drejtën për avokat përmes qendrave për punë sociale e kanë shfrytëzuar vetëm 16 fëmijë, krahasuar me 73 një vit më parë. Ndërkohë, paraburgimi është caktuar për 14 fëmijë, kundrejt gjashtë në vitin 2024. Dënimi me burg është shqiptuar në katër raste, ndërsa masat edukative institucionale janë caktuar për 23 fëmijë.
Raporti evidenton edhe zbatimin e pamjaftueshëm të ndërmjetësimit si alternativë ndaj procedurave gjyqësore. Gjatë vitit 2025, kjo procedurë ka përfunduar me sukses vetëm në një rast, ndërsa prokuroritë publike nuk kanë referuar asnjë fëmijë për ndërmjetësim.
Mangësi janë konstatuar edhe në nivel lokal. Nga 80 komuna, vetëm 25 kanë dorëzuar informacione për themelimin dhe funksionimin e këshillave për parandalimin e delikuencës së fëmijëve. Vetëm Tetova, Ohri, Kumanova dhe Pehçeva kanë dorëzuar raport vjetor për punën e tyre gjatë vitit 2025.
Këshilli Shtetëror rekomandon përmirësimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të të dhënave ndërmjet policisë, prokurorive, gjykatave dhe qendrave për punë sociale, si dhe zbatimin më të gjerë të masave mbrojtëse dhe sigurimin e mjeteve financiare për zbatimin e Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët. /SHENJA/

