(VIDEO) Mickoski: Po shqyrtojmë angazhimin e institucioneve të Kulturës
Një numër i madh i institucioneve kulturore në vend vazhdojnë funksionimin me numër minimal të të punësuarve. I pyetur nga TV Shenja, kryeministri Hristian Mickoski tha se është i vetëdijshëm për këtë situatë dhe njoftoi se pikërisht për këtë temë, Ministria e Kulturës është duke realizuar analizë në të cilën janë të përfshira të gjitha institucionet kulturore, përfshirë edhe ato që sipas kryeministrit, kanë numër të mjaftueshëm të të punësuarve dhe nuk realizojnë asnjë projekt ose aktivitet konkret.
HRISTIAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR
“Një analizë të tillë është duke e përgatitur Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe së shpejti do të dalim me rezultate. Po, ka të tilla institucione, por ka institucione që pesë herë janë ri-punësuar dhe kemi institucione në të cilat të themi, nuk ka shfaqje teatrale me muaj po mund të themi edhe me vite. Duhet të gjejmë mënyrë se si të gjithë këtë ta balancojmë”.
Kujtojmë se Ministria e Kulturës dhe Turizmit së fundi ka paralajmëruar strategjinë e re kombëtare 2026-2030, përmes të cilës pritet të zgjidhen të gjithë këto probleme dhe mangësi.
Në të njëjtën strategji parashihet mes tjerash edhe fuzionimi i disa institucioneve kulturore, siç është rasti me ansamblin e muzikës në Tetovë që sipas kësaj strategjie duhet të fuzionohet me shtëpinë e kulturës në Tetovë.
Mevludin Imeri /SHENJA/

