(VIDEO) Mickoski: Nëse nuk do të ketë marrëveshje paga minimale do të jetë 24.400 denarë

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se nëse nuk do të ketë marrëveshje në mes punëdhënësve dhe të punësuarve paga minimale nga muaji prill do të jetë 24. 400 denarë. Ai thotë se LSM-ja e ka ndryshuar qëndrimin e saj rreth pagës minimale.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Propozimi që e kam ndëgjuar nga kryetari i LSM-së është i ndryshëm nga propozimi para disa muajve kur kjo qeveri ishte e zgjedhur për qeverisje. Ata nuk pritën as një javë dolën me propozim për 400 euro pagë minimale tani kur e panë se ligjërisht do të arrijmë tek paga minimale 400 euro kërkojnë 500 euro”.
Në anën tjetër, ish-kryetari i LSM-ë Zhivko Mitrevski, ka thënë se propozim-modeli aktual i LSM-së për rritjen e pagës minimale nuk është i përshtatshëm dhe i qëndrueshëm. Ai thotë se propozimi për pagën minimale prej 500 euro do të jetë i qëndrueshëm vetëm kur të gjithë partnerët social të gjejnë një zgjidhje.
ZHIVKO MITREVSKI, ISH KRYETAR I LSM-SË
“Punëtorët humbin. Prandaj mesazhi im ishte se Trendafilov po nxiste një luftë midis sindikatave. Një njeri i vetëm nuk mund të bëjë luftë së bashku me të tjerët nëse nuk shoqërohet nga të tjerë. Ai është i detyruar të zhvillojë bisedime, të zhvillojë negociata dhe të veprojë së bashku me sindikatat e tjera që janë pjesë e Federatave Botërore dhe Europiane.
Nga partia në pushtet VMRO-DPMNE vazhdojnë ta akuzojnë kryetarin e LSM-së Sllobodan Trendafilov se punon për interesa partiake të LSDM-së. Trendafilov vazhdimisht ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se çështja e rritjes së pagës minimale është qëllim i pastërt i të punësuarve. LSM kërkon rritje të pagës minimale në 500 euro dhe kontributet shtesë ti paguajë qeveria, për të cilat kryeministri Mickoski disa herë ka deklaruar se buxheti nuk parasheh mjete për pagesën e tyre.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/