(VIDEO) Mickoski në fundjavë takohet me VLEN-in dhe ZNAM-in
Kryeministri Hristijan Mickoski informoi se në fund të kësaj jave do të mbahen takimet kyçe me partnerët e koalicionit, me të cilët temë kryesore e bisedës do të jetë rikonstruimi i paralajmëruar i kabinetit qeveritar. Duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për takimet me partnerët, Mickoski theksoi se takimet me VLEN dhe ZNAM tashmë janë planifikuar.
Mickoski i vuri theks të veçantë edhe marrëdhënieve brenda koalicionit qeveritar, duke theksuar se bashkëpunimi midis VMRO-DPMNE dhe VLEN vazhdon të ecë në mënyrë të qëndrueshme dhe pa pengesa, ashtu siç thotë se ka ndodhur deri më tani.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Takimet me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM janë planifikuar për të premten dhe të shtunën. Përndryshe, tash nuk jemi para zgjedhjeve, tani jemi në gjysmën e dytë të mandatit, kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe miqësor me VLEN-in. Pres që kështu të vazhdojmë”.
Si konfirmim për bashkëpunimin e suksesshëm të koalicionit, ai ju referua rezultateve të fundit zgjedhore, të cilat sipas tij ju kanë dhënë legjitimitet për të vazhduar me politikat e përbashkëta.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Pas realizimit të bashkëpunimit tonë, pas zgjedhjeve në vitin 2024, vijuan zgjedhjet lokale në të cilat ata fituan bindshëm në 10 komuna, kështu që nuk shoh pengesë në këtë moment që të mos vazhdoj bashkëpunimi jonë”.
Takimet e së premtes dhe të shtunës pritet t’i definojnë ndryshimet e përbërjes së re të qeverisë dhe ndryshimet e mundshme kadrovike në resore.
Rikonstruimin e Qeverisë, kryeministri Mickoski e ka paralajmëruar të ndodh pas ditëlindjes së VMRO-DPMNE-së, e cila mbahet sonte në Strumicë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

