(VIDEO) Mickoski: Mbetemi të parët në rajon për realizimin e kushteve për BE
Përderisa Shqipëria dhe Mali i Zi pritet të mbyllin kapituj negociues deri në fund të vitit, kurse Moldavia dhe Ukraina të hapin klasterë të rinj, kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë zbatimin e reformave dhe se vendi do të mbetet i pari në rajon për realizimin e tyre. Ai theksoi se, nëse dikush vlerëson se Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, Qeveria është e gatshme të bëjë gjithçka që është konstruktive, por jo edhe atë që, sipas tij, është në dëm të interesave të shtetit. Megjithatë, kushti për tu bërë pjesë e BE-së, siç tha edhe komisionerja e BE-së, Marta Kos, në Shkup, është që të realizohen ndryshimet kushtetuese, por Mickoski përsëriti edhe një herë se Qeveria mbetet në qëndrimin se nuk do të pranojë ndryshime kushtetuese pa kushte, sipas kushteve që, siç tha ai, i kishte pranuar qeveria e kaluar. Sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës në ato rrethana nuk përbën reformë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Për mua, ndryshimi i Kushtetutës dhe pranimi i asaj që ka pranuar qeveria e kaluar nuk është reformë. Qëndrimi ynë është i qartë dhe i prerë – qytetarët presin nga udhëheqja e Qeverisë të Maqedonisë të mbrojë identitetin kombëtar maqedonas. Pikërisht këtë po e bëjmë. Nuk ka asnjë çmim për të cilin do të pranonim lëshime të pakushtëzuara”.
Mickoski foli edhe për ndryshiemt në kodin zgjedhor. Ai u bëri edhe sot thirrje partive opozitare të tregojnë përgjegjësi dhe pjekuri politike, duke theksuar se koalicioni qeverisës tashmë ka harmonizuar qëndrimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa pret që opozita të dorëzojë një tekst me propozime, të cilin, sipas tij, Qeveria është e gatshme ta pranojë pa kushte.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ne kemi qenë të qartë: opozita le të angazhojë ekspertët e saj, le të përgatisë tekstin e Kodit Zgjedhor dhe metodologjinë për një pjesëmarrje më të gjerë të diasporës në votime. Ne do ta mbështesnim menjëherë, pa e shqyrtuar fare. Por as këtë nuk e bënë. Kur ne ishim në opozitë, nuk kishim një qeveri që të na jepte një hapësirë të tillë të pakushtëzuar për të paraqitur zgjidhjet tona”.
Në këtë kontekst, Mickoski akuzoi LSDM-në dhe Levicën se po e bllokojnë miratimin e Kodit Zgjedhor nga frika e humbjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij, arsyetimi se vota e diasporës mund të çojë në manipulim të zgjedhjeve është vetëm një justifikim për të penguar procesin.
Samir Mustafa /SHENJA/

