(VIDEO) Mickoski: Do të luftojë publikisht kundër krimit dhe korrupsionit

(VIDEO) Mickoski: Do të luftojë publikisht kundër krimit dhe korrupsionit

Kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për deklaratën e prokurorisë kundër krimit dhe korrupsionit se nuk kanë pranuar ankesë lidhur me miton e ofruar ndaj tij për Korridorin 8, tha se ai do të luftojë publikisht kundër krimit dhe korrupsionit në vend. Ai shtoi se së shpejti do të iniciojë hapjen e linjës telefonike, ku qytetarët do të mund të denoncojnë veprime kriminale dhe korruptive.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Unë shoh që janë shqetësuar qendrat individuale të ndikimit dhe janë shqetësuar sepse është një tender i vjetër, një furnizim publik që është drejtuar nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së. Kam vendosur të luftoj publikisht krimin dhe korrupsionin dhe ky është një mesazh se koha e kriminelëve në politikë ka mbaruar. Është koha për politikanë të ndershëm që e duan popullin e tyre. Dhe kështu do të vazhdojmë. Unë dua të hap një linjë telefonike dhe në atë linjë qytetarët mund të denoncojnë krimin dhe korrupsionin”.

“Sa të jem unë kryeministër nuk do të ketë vend për kriminelët në politikë dhe për këtë po i dërgoj një mesazh secilit person që emëroj dhe që funksionon nga VMRO-DPMNE: Ruajeni fytyrën tuaj dhe kështu do të shpëtoni timen dhe të organizatës”, tha Mickoski.

Kryeministri Hristijan Mickoski ditën e djeshme tha se i ishte ofruar ryshfet në lidhje me pjesën hekurudhore të Korridorit 8. Ai tha se deri më 17 shtator pritej të nënshkruajë dokumentacionin e tenderit, por ai nuk pranoi ta bëjë këtë. Ai gjithashtu tha se të gjitha institucionet që është dashur të informohen për rastin, janë njoftuar.

Ndërkaq nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dje pas konferencës së kryeministrit thanë se deri më tani nuk kanë pranuar ankesë për ryshfet, ndërsa nga Prokuroria Publike thanë se nuk kanë informacion se ku është paraqitur ankesa.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme  të pyetur dje lidhur me deklaratën e Mickoskit thanë se MPB është duke trajtuar disa raste që kanë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin dhe siç thanë ata kur ato të jenë në një fazë të avancuar, publiku do të informohet siç duhet.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING