Nëpunësit doganorë nga Dogana e Shkupit brenda një dite zbuluan 12 migrantë të paligjshëm
Nëpunësit doganorë nga Dogana e Shkupit, brenda një dite, zbuluan 12 migrantë të paligjshëm me origjinë nga Egjipti dhe Sudani, gjatë kontrollit të mallrave të deklaruara për zhdoganim importi në dy pika të ndryshme doganore.
Në terminalin doganor në Tetovë, nëpunësit doganorë dyshuan për praninë e mundshme të migrantëve të paligjshëm edhe para se të kryenin kontrollin e kamionit. Për këtë arsye, ata kërkuan asistencën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), pas së cilës në pjesën e ngarkesës u zbuluan pesë migrantë të paligjshëm.

Vetëm dy orë më vonë, në terminalin doganor Shkup 3, gjatë kontrollit të mallrave të deklaruara për zhdoganim importi, u zbuluan shtatë migrantë të paligjshëm.
Migrantët iu dorëzuan Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Sipas të dhënave të fundit të Frontex-it, migracioni i paligjshëm përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor ka shënuar një rënie prej 42 për qind. Këto shifra tregojnë se bashkëpunimi po jep rezultate, por përgjegjësia jonë është të mbetemi vigjilentë dhe të jemi të përgatitur për sfidat e reja”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

