(VIDEO) Mexhiti: Taravari të vendos, me VLEN-in apo me BDI-në

“Edhe bashkëpunim me BDI-në edhe në Qeveri nuk shkon”, kështu ka deklaruar sot zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, duke komentuar pozitën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari në Qeveri, pas përlasjeve brenda koalicionit VLEN. Mexhiti i bëri thirrje edhe njëherë Taravarit që të vendosë nëse do të bashkëpunojë me BDI-në apo do të mbetet në VLEN dhe në Qeveri.
Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër
“Është legjitime dhe ka të drejtë të bashkëpunojë me BDI-në, por në atë rast duhet që atë ta sqarojë, të mos turpërohet dhe të kalojë në atë tabor. Bashkëpunimi me BDI-në dhe bashkëpunime me VLEN-in nuk është i mundur. Bashkëpunimi me BDI-në dhe të vazhdojë të jetë në Qeveri mendojë se nuk shkon. Duhet të përcaktohet. Nuk duhet të harrojmë se ato 107 mijë vota i kemi marrë premtim para qytetarëve se do të sjellim ndryshimin, do të sjellim rotacionin, pluralizmin, demokracinë në kampin politik shqiptar, pra është devijim nga premtimi që e kemi dhënë”.
Mexhiti ka konfirmuar se do të ketë takim Taravari me kryeministrin, megjithatë tha se nuk janë diskutuar detajet teknike nëse në këtë takim do të marrë pjesë edhe koalicioni VLEN.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, i cili vjen nga radhët e ASH-së, tha se nuk ka asnjë plan për ndryshim të pozicioneve në qeveri. Ai po ashtu, knfirmoi se kryeministri Hristijan Mickoski do të ketë takim veçmas me partnerët e koalicionit
Arben Fetai, zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë
“Bashkëpunimi vazhdon në kuadër të qeverisë. Hiq më larg se dje kishim seancë të qeverisë ku nuk u ngrit as edhe një shqetësim. Pra vazhdojmë të bëjmë punën tonë, sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe besoj që i keni parë raportimet në media se gjatë ditëve në vijim do të ketë konsultime kryeministri, veç e veç me partitë, me koalicionin VLEN, Aleancën për Shqiptarët, partnerët e koalicionit ZNAM. Për momentin nuk ka ndryshuar asgjë, deri në konsultimet që pritet të ndodhin ditëve në vijim”.
Kujtojmë se, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, vendosi javën e kaluar që të dalë me lista të veçanta për këshilltarë në zgjedhjet lokale, edhe përkundër paralajmërimeve të VLEN-it se kjo gjë është e papranueshme për ta. Pas kësaj, liderët e VLEN-it, u mblodhën në një takim ku nuk ishte i ftuar Taravari dhe konstatuan se me këtë veprim ASH është vetëpërjashtuar nga koalicioni VLEN. Në takimin që do të zhvillohet me kryeministrin, pritet të vendoset nëse ASH-ja e Taravarit do të vazhdojë të jetë edhe më tej në qeveri.
Teuta Buçi /SHENJA/