(VIDEO) Mexhiti: Po e zgjidhim problemin e banorëve me parkingun

(VIDEO) Mexhiti: Po e zgjidhim problemin e banorëve me parkingun

Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti, njoftoi se Qeveria ka ndarë 20 milionë euro për financimin e projektit për ndërtimin e një garazhi nëntokësor shumëkatësh pranë Sheshit Skënderbeu në Shkup.

Ky projekt shumëvjeçar parashikon ndërtimin e 371 vendeve të reja për parkim, të shpërndara në dy nivele nëntokësore me një sipërfaqe totale prej më shumë se 13,000 metra katrorë.

IZET MEXHITI,ZV/KRYEMINISTËR

Gjithashtu, do të sigurohet një numër i përshtatshëm vendesh parkimi për personat me nevoja të veçanta. Me këtë investim, ne tregojmë përkushtimin tonë për të zgjidhur sfidat infrastrukturore me të cilat përballet kryeqyteti ynë, Çarshia e Vjetër e Shkupit dhe Komuna e Çairit. Ndërtimi i garazhit nëntokësor ka rëndësi të madhe për Çarshinë e Vjetër dhe për Komunën e Çairit. Problemi shumëvjeçar i mungesës së vendeve të parkimit në këtë pjesë të qytetit do të zgjidhet përfundimisht, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut dhe duke mundësuar një qasje më të lehtë për banorët dhe vizitorët. Ky investim do të sjellë përfitime për banorët lokalë”.

Duke përmirësuar infrastrukturën, Mexhiti thotë se presin një rritje të ndjeshme të potencialit turistik të Çarshisë së Vjetër. Ai tha se turistët do të kenë një qasje më të mirë në këtë pjesë kulturore-historike të qytetit, gjë që sipas tij, do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe do të krijojë mundësi të reja për bizneset në rajon.

IZET MEXHITI,ZV/KRYEMINISTËR

Kjo është një dëshmi se me përpjekje të përbashkëta dhe një vizion të qartë, mund të arrijmë përmirësime të rëndësishme në jetën e qytetarëve tanë.Detyra jonë është të vazhdojmë me iniciativa të tilla që do të sjellin përfitime afatgjata për të gjithë shoqërinë. Në periudhën e ardhshme, do të punojmë që projekti të realizohet në një kohë sa më të shkurtër dhe me cilësinë më të lartë.Do të sigurojmë transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha fazat e realizimit, me qëllim që të përmbushim besimin dhe pritshmëritë e qytetarëve”.

Ai gjithashtu informoi se procedura për tenderim do të hapet shumë shpejtë dhe siç tha, në fillim të vitit 2025 do të fillojnë edhe punimet për ndërtimin e garazhës nëntokësore.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING