(VIDEO) Masakra në Beograd, gjendja e të plagosurve është stabile

(VIDEO) Masakra në Beograd, gjendja e të plagosurve është stabile

Qytetarë dhe nxënës sot ndezën qirinj dhe vendosën lule para shkollës fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, në vendin ku ndodhi tragjedia më 3 maj, ku një adoleshent vrau tetë shokë të klasës dhe një roje të shkollës. Gjashtë nxënës dhe një mësues u plagosën në sulm, të cilët po trajtohen në spital.

Siç deklaruan sot përfaqësuesit e objekteve shëndetësore të Sërbisë, pesë personat e lënduar janë stabil, një fëmijë është ende në gjendje kritike, por në gjendje më të mire se kur u pranua, ndërsa një fëmijë është në rrezik jetik pasi mjekët po luftojnë për jetën e tij. Drejtoresha e Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, Milika Ashanin, ka thënë se gjendja me dy nxënësit dhe mësuesen që janë vendosur në atë institucion është shumë më e mirë.

Ndërkohë Ministria e Brendshme e Sërbisë ka njoftuar për një kontroll të gjerë të armëve në pronësi të qytetarëve në të gjithë vendin. Siç thuhet në komunikatën e sotme, kontrolli do të kryhet “për të konstatuar nëse qytetarët i mbajnë armët në përputhje me rregulloret në fuqi, të ndara nga municioni dhe të mbyllura në kabinete dhe kasaforta përkatëse”.

Siç thanë autoritetet sërbe një ditë më parë, i dyshuari, adoleshent, mori dy armë në pronësi të babait të tij nga shtëpia për të kryer sulmin. Babai i tij gjatë marrjes në pyetje në polici tha se armën e ka mbajtur në kasafortë dhe nuk e di se si i ka marrë djali kodet nga kasaforta.

Të mërkurën në mbrëmje I mituri iu nënshtrua një testi toksikologjik për të përcaktuar nëse ishte nën ndikimin e substancave psikoaktive. Rezultatet e testit toksikologjik kanë rezultuar negative dhe është konstatuar se I mituri ka qenë i vetëdijshëm gjatë kryerjes së sulmit. Djali ndodhet në neuropsikiatri ku ka marrë ndihmë profesionale.

Mediat sërbe kanë njoftuar se qeveria ka vendosur që për dy vitet e ardhshme të vendosë moratorium për dhënien e lejeve për mbajtjen e armëve të vogla të zjarrit (autorizime për blerje armësh, certifikata armësh etj.)

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING