(VIDEO) LSDM propozon 7 masa ekonomike për uljen e çmimeve

Partia opozitare LSDM ka paralajmëruar përgatitjen e një strategjie ekonomike, e cila sipas tyre, do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve. Lideri i kësaj partie, Venko Filipçe, sqaroi sot gjatë një brifingu me gazetarët se, pakoja e masave që ata propozojnë do të propozohen në formë të ligjeve dhe ai beson se, do të kenë efekt të fuqishëm dhe të shpejtë në standardin jetësor të qytetarëve dhe do të ndalin rënien ekonomike. Ai tha se, grupi parlamentar i LSDM-së, veç më është duke punuar në përgatitjen e shtatë masave, për të cilat janë duke u zyrtarizuar propozimet për masa ku nevojitet intervenim ligjor.
Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së
“Masa e parë është ulja e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18% në 5%. Kjo është një ulje prej të paktën 13% në faturat e energjisë elektrike. Më pas, ulje e TVSH-së për produktet ushqimore bazë. Kjo masë, e kombinuar me politika shtesë për ngrirjen e marzheve dhe çmimeve, mund të rezultojë në një ulje të çmimeve të këtyre produkteve deri në 30%. Ngrirja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë për tre muajt e ardhshëm. Një masë të tillë tashmë e kemi zbatuar rreth dy vjet e gjysmë më parë, kur çmimi i bukës ishte ngrirë për një periudhë të caktuar”.
Në kuadër të kësaj pakoje të masave, LSDM kërkon edhe fiksimin e marzhës për produktet bazë, me qëllim parandalimin e manipulimeve dhe rritjes së tejmasë të çmimeve nga ana e tregtarëve.
Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së
“Propozojmë edhe ulje të çmimit të ‘kartonit të gjelbër’ për automobila. Familjet dhe bizneset e vogla të cilat varen nga transporti, me këtë do të fitojnë drejtpërdrejt ulje të harxhimeve. Efekti fiskal do të përbëjë mes 9 dhe 11 milionë euro para të kthyera te qytetarët”.
Filipçe po ashtu paralajmëroi se, do të propozojnë edhe masë për rritjen e pagave në sektorin privat, me ngrirjen e kontributeve, përkatësisht, kompanive t’u lehtësohet sistemi dhe të mos paguajnë një shumë të caktuar shtesë për kontributet, me çka punëtorët të mund të kenë rritje të pagave prej 3.000 deri në 15.000 denarë.
Teuta Buçi /SHENJA/