(VIDEO) LSDM alarmon për raste të riinfektimit në Gostivar, VMRO përgjigjet më kundërakuza

(VIDEO) LSDM alarmon për raste të riinfektimit në Gostivar, VMRO përgjigjet më kundërakuza

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (SDSM) sot alarmoi për përkeqësim të mëtejshëm të krizës shëndetësore në Gostivar, duke theksuar se tashmë pesë javë qytetarët nuk kanë ujë të sigurt për pije dhe se në qytet po regjistrohen raste të reja, madje edhe riinfektime te qytetarët që tashmë ishin helmuar. Nga partia opozitare theksuan se shfaqja e personave të sëmurë për herë të dytë është tregues serioz se burimi i ndotjes ende nuk është vënë nën kontroll, ndërsa qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut, në mes të verës dhe temperaturave të larta.

MARKETING

Description of image

Keti Shterjova, LSDM

“Derisa qytetarët presin ujë të pastër prej pesë javësh, katastrofa shëndetësore nuk po qetësohet. Ka raste të qytetarëve të riinfektuar – njerëz që janë helmuar përsëri. Ky është një alarm serioz se rreziku nuk është eliminuar. Për pesë javë, Klekovski dhe Mickoski japin deklarata dhe premtime të ndryshme se problemi është drejt zgjidhjes, ndërsa zgjidhje nuk ka. Ata po luajnë me shëndetin e banorëve, ndërsa 5 mijë qytetarë janë të prekur”, tha Keti Shterjova në konferencën e sotme për shtyp.

Nga LSDM edhe sot kritikuan ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski për vonesa në të gjitha hapat – nga shpallja e epidemisë deri te ndërmarrja e masave mbrojtëse.

Nga VMRO u përgjigjën se, LSDM-ja dhe udhëheqësia aktuale janë të fundit që mund të flasin dhe të kritikojnë për situatën me ujin në Gostivar, duke akuzuar se, në periudhën kur ata ishin në pushtet ekzistojnë raporte që qartë tregojnë se uji në Gostivar nuk ka qenë i cilësisë së duhur.

Martin Andonovski, VMRO-DPMNE

“Gjatë asaj periudhe, udhëheqësia aktuale e SDSM-së, si Venko Filipçe dhe Renata Mladenovska, kanë heshtur. Filipçe, si ministër i Shëndetësisë, dhe Renata Mladenovska, si drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim pas asnjërit prej raporteve për cilësinë e papërshtatshme të ujit në Gostivar. Kanë heshtur, gjë që tregon se janë kujdesur për funksionet, pushtetin dhe interesat e një grupi të vogël njerëzish nga pushteti”.

Kujtojmë se, uji në Gostivar vazhdon të jetë i ndaluar për pije, pasi autoritetet zbuluan përmbajtje të bakterieve si pasojë e ndotjes së ujit, e cila shkaktoi helmimin e mijëra qytetarëve. Për këtë rast, është hapur edhe lëndë në Prokurori. /SHENJA/

 

MARKETING