(VIDEO) LSDM: 73% e qytetarëve kanë pagë nën mesataren
“Me Mickoskin dhe VMRO-në, standardi i jetesës së qytetarëve është shembur plotësisht në dy vjet”, kështu deklaron anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Simona Cvetanovski në një konferencë për shtyp. Ajo thotë se pagat në Maqedoni janë më të ulëtat në Evropë, qytetarët po varfërohen, si dhe njerëzit jetojnë shumë më keq se 2 vite më parë. Madje ajo shtoi se sipas të dhënave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, 73% e qytetarëve kanë një pagë nën mesataren mujore.
Simona Cvetanovski, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së
“Të dhënat e DAP për vitin 2025 tregojnë se madje 73% e qytetarëve kanë një pagë nën mesataren mujore, domethënë nën pagën mesatare në vend. Plot gjysma, 50% e të punësuarve kanë marrë një pagë midis 24,000 denarëve dhe 36,000 denarëve. Nëse krahasohet me shportën minimale të konsumit që është 70,000 denarë, kjo do të thotë se për gjysmën e të punësuarve, as dy paga nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet themelore të jetesës”.
Tutje ajo thotë se shumica e qytetarëve, mezi ia dalin mbanë dhe se jeta është bërë shumë e shtrenjtë, sa që pagat nuk përballojnë rritjen e çmimeve, ku vlerëson se madje edhe ushqimi është bërë luks, si dhe faturat janë shumë të larta. Anëtarja e Bordit të LSDM-së thotë se refuzimi i qeverisë së Mickoskit për të rritur pagën minimale në 600 euro çon drejtpërdrejt në varfëri.
Simona Cvetanovski, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së
“Ndërprerja e rritjes së pagave, refuzimi i qeverisë së Mickoskit për të rritur pagën minimale në 600 euro çon drejtpërdrejt në varfëri në familjet e punëtorëve. Prindërit duhet të mendojnë për çdo denar, ata detyrohen të shkurtojnë për të siguruar kushtet themelore për fëmijët e tyre. Sot, vetëm Mickoski dhe organizata e tij kriminale VMRO janë të pasur dhe financiarisht të mirë”.
LSDM vlerëson se rritja e çmimeve të karburanteve është një goditje e re çmimesh për qytetarët e cila do të sjellë një rritje të re të çmimeve të ushqimeve. Sipas LSDM-së me Mickoskin, standardi i jetesës ka rënë ndjeshëm dhe kolapsi ekonomik po troket në derë ndërsa VMRO po vjedh nga populli në një mënyrë armiqësore.
Anida Murati /SHENJA/

