(VIDEO) Kuzeska: Po zgjerohet rrjeti i tenderëve të VMRO-DPMNE-së

Rrjeti i tenderave të VMRO-DPMNE-së, po zgjerohet. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, e cila tha se kompania Mastef Dooel-Shkup, ka fituar tenderë në vlerë të mbi 4 milion euro, nga komunat ku udhëhiqen nga koadro të VMRO-DPMNE-së.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“E njëjta kompani, në komunat e udhëhequra nga kryetarët e DPMNE-së dhe në institucione, merr shuma milionëshe nga tenderët dhe më së shpeshti shfaqet si ofertues i vetëm. Bëhet fjalë për një kompani tjetër të favorizuar nga qeveria, Mastef DOOEL Shkup. Përmes disa komunave dhe institucioneve, kjo kompani në 3 vitet e fundit ka fituar tenderë mbi 4 milionë euro”.
Kjo kompani, sipas Kuzeskës, është kompania më e preferuara e kryetarëve të komunave të Kisella Vodës, Aerodromit dhe Negotinës.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Në komunën e Kisella Vodës, ku kryetar është Orce Gjorgjievski nga DPMNE, për periudhën 2022-2024, kjo kompani ka fituar tenderë në vlerë prej 1.7 milionë euro. Nga komuna e Aerodromit, edhe në kohën kur kryetar ishte Timço Mucunski, po kjo kompani ka marrë tenderë, gjegjësisht ka lidhur kontrata në vlerë prej gati 1 milion euro. Në komunën e Negotinës, ku kryetar është Stojanov nga DPMNE, 400.000 mijë euro”.
Sipas zëdhënësës së partisë opozitare, e njëjta kompani ka fituar tender edhe në Ministrinë e Sportit rreth 1 milion euro, ndaj nga LSDM kërkojnë që Porkuroria Themelore Publike të reagojë menjëherë për këto raste. Kuzeska tha gjithashtu se duhet të ketë një përgjigje institucionale ndaj këtyre skandaleve të madha që përfshin rrjetet e tenderëve.
Samir Mustafa /SHENJA/